Qemal Gjishti, kuzhinieri që mësoi në
kurse dhe u punësua në vendet e BE

4 Shkurt 2016, 11:46| Përditesimi:

  • Share
Është vetëm 24-vjeç, por ka arritur t’i sigurojë vetes një pozicion menaxhues në botën e kuzhinës jashtë vendit. Bëhet fjalë për Qemal Gjishtin, shef kuzhine të “Green city ekspres”, në qytetin Poznan të Polonisë. 
 
Disi më shumë se dy vjet më parë, Mali, siç edhe i thërrasin miqtë, dëgjoi se diku në një qytet të Polonisë, një restorant kishte nevojë një kuzhinier. Mali nuk u mendua dy herë dhe siç tregon vetë ai: Gjërat rrodhën në rrugën e duhur.
 
Ai tregon edhe sekretet e suksesit në botë e kuzhinës. “Kreativiteti. Është shumë e rëndësishme të provosh gjithmonë diçka të re, sepse është kjo që bën diferencën nga të tjerët. Duhet të menaxhosh shumë mirë presionin në punë e të jesh sa më fleksibel duke qenë se duhet jesh përgjegjës për shumë elementë që duhet të bashkohen bashkë që të formojnë një pjatë për t’u servirur. E fundit, por më e rëndësishmja, duhet ta dashurosh ushqimin e gatimin”, tregon shefi shqiptar.
 
Kështu, juve që iu bie rruga nga Poznan, të kaloni nga kuzhina e Malit, nuk do të ishte një zgjedhje e keqe, thotë 24-vjeçari.  
 
Si ndihet një i ri në profesionin e kuzhinierit në Poloni?
Të punosh si kuzhinier të jep njëkohësisht përgjegjësi të madhe, por dhe kënaqësi. Sigurisht çdo njeri që e zotëron këtë profesion, si dhe që e ka me dëshirë këtë punë ndihet komod. Por, për të arritur këtë kërkon vullnet dhe përpjekje. Personalisht, në Poloni ndihem i vlerësuar për rrugën ku po eci. Pavarësisht se nuk jam në vendin e lindjes, angazhimi në kuzhinë mund të them që më ka ndihmuar në jetën sociale.
 
Sa ju kanë shërbyer kurset dhe trajnimet profesionale që keni bërë në Shqipëri për tu futur në tregun e punës?
Sigurisht që kurset profesionale janë një bazë e fortë për tregun e punës. Aty mëson hapat e parë mbi kuzhinën. Por, ai që e dëshiron vërtet këtë profesion mund të marrë akoma dhe më shumë se thjesht një kurs. Janë këto baza që të përfshijnë dhe të orientojnë për tregun e punës. Më pas, është vetë individi që përfshihet në këtë treg. Nëse vërtet dëshiron të gatuash, ka mjaft hapësirë për të mësuar dhe për t’u rritur profesionalisht. Sigurisht që të mësuarit nuk ka fund, e fillon me një bazë dhe më pas sa më shumë kërkues të jesh aq më shumë do të mësosh. Dhe kjo është një gjë e bukur dhe një sfidë. E thash dhe më lart, kurset profesionale, apo shkollat profesionale të japin një bazë të fortë për tregun e punës, por më pas çdo njeri rritet vit pas viti.
 
Ju keni mbaruar dhe një shkollë të lartë, çfarë do ju sugjeroni të rinjve që të ndjekin arsimin e lartë, apo të zgjedhin një profesion?
Personalisht do t’i sugjeroja profesionin ose më mirë të themi një shkollë profesionale. Madje mund të them se nëse të rinjtë kërkojnë me domosdoshmëri një shkollë të lartë mund t’i rikthehen më vonë studimeve. Por, dua të shtoj dhe diçka. Së pari, të rinjtë duhet të zgjedhin se çfarë duan të bëjnë. Ka mjaft të talentuar që nuk e duan shkollën e lartë thjesht për të marrë një diplomë, por dëshirojnë realisht të studiojnë, pra që e kanë në gjak studimin. Por, shikojmë mjaft të rinj që kërkojnë një diplomë për të pasur më pas një mundësi për një vend pune. Për këta të fundit, duke u nisur dhe nga eksperienca personale, do ti sugjeroja realisht t’i futeshin punës për të mësuar një profesion. Pikërisht, kjo zgjedhje do ti hapë rrugët e jetës.
Përse profesionin?
Sepse një i ri që ka një profesion, në kohën  që jetojmë, është shumë herë më i kërkuar se sa të rinjtë që kanë një diplomë të shkollës së lartë. Tregu i punës në botë, kërkon më shumë një person që zotëron një profesion.
 
Çfarë e bën një kuzhinier që të ketë sukses?
Kreativiteti. Është shumë e rëndësishme të provosh gjithmonë diçka të re, sepse është kjo që bën diferencën nga të tjerët. Duhet të menaxhosh shumë mirë presionin në punë e të jesh sa më fleksibel duke qenë se duhet jesh përgjegjës për shumë elementë që duhet të bashkohen bashkë që të formojnë një pjatë për t’u servirur. E fundit, por më e rëndësishmja duhet ta dashurosh ushqimin e gatimin.
 
Si jeni punësuar në Poloni?
Më kanë bërë ftesë pune. Një i afërmi im më njoftoi për një hapësirë punësimi në Poloni për kuzhinier. Pasi e dinte që kisha përfunduar kurse profesionale si dhe isha përfshirë në botën e kuzhinës në Shqipëri. Pas këtij kontakti, sigurisht që gjërat rrodhën në rrugën e duhur, ku pasi mora miratimin e restorantit në Poloni mora vizën e punës dhe shkova. Pra, ju thash dhe më lartë, një person që zotëron një profesion është shumë më i kërkuar në tregun e punës dhe ka më shumë hapësira për të gjetur veten dhe për t’u integruar.
 
 
Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?