Armët e sekuestruara nga Policia e Durrësit

Qëlluan me kallashnikov në ajër, arrestohen dy adoleshentët në Durrës! Në hetim edhe një 16-vjeçar, policia i gjen një pistolete sportive

4 Shkurt 2022, 09:39| Përditesimi: 4 Shkurt 2022, 09:42

  • Share

Dy adoleshentë janë arrestuar ndërsa një tjetër është nën hetimin e autoriteteve në Durrës pasi kanë qëlluar me armë zjarri në ajër. Në pranga ka rënë K.B., 17 vjeç dhe G.P., 18 vjeç ndërsa është proceduar penalisht një 16-vjeçar.

Policia ka sekuestruar kallashnikovin me të cilin qëlluan dy të rinjtë të cilët u arrestuan, ndërsa 16-vjeçari posedonte një pistoletë sportive dhe një shkop metalik.

Të rinjtë akuzohen për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike" në ngarkim të dy të arrestuarve dhe "Mbajtja pa leje e armëve sportive" në ngarkim të të miturit të proceduar penalisht.

Njoftimi i Policisë
Dispononin armë zjarri dhe qëllonin në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë, falë ndërhyrjes në kohë dhe me profesionalizëm , kapen pa dëmtime dhe vihen në pranga dy adoleshentë. Procedohet penalisht edhe një 16-vjeçar që dispononte pistoletën sportive. Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, një pistoletë sportive dhe një shkop metalik.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe ato operacionale të DVP Durrës, pas marrjes së njoftimit se në Katund, Sukth, tre adoleshentë qëllonin me armë në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sukthi”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

K. B., 17 vjeç dhe G. P., 18 vjeç, të dy banues në Katund, Sukth, Durrës, si dhe u procedua penalisht një 16-vjeçar. Gjatë operacionit, forcat policore kanë ndërhyrë me profesionalizëm, pasi njëri prej adoleshentëve, shtetasi K. B. kishte me vete armën e zjarrit kallashikov, me të cilën këta shtetas qëllonin në ajër.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesave, kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë sportive pistoletë dhe një shkop metalik. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike" në ngarkim të dy shtetasve të arrestuar dhe "Mbajtja pa leje e armëve sportive" në ngarkim të shtetasit të proceduar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?