Qellimi i mirë... qëllimi i keq

9 Tetor 2016, 17:03| Përditesimi: 8 Nëntor 2016, 12:40

  • Share
Gabimisht jemi mësuar të shohim njerëzit nga etiketat që mbajnë në sipërfaqe. Edhe këto 25 vite liri, nuk na kanë dhënë akoma në dorë atë pishtarin e duhur për të parë më thellë miqve, të njohurve a të panjohurve që na rrethojnë. I dallojmë sipas gunës: ai është i PD, kjo e PS, ai Monark, kjo katolike, ai mysliman, ata ortodokse... ai italian, ky shqiptar, ai grek e ata serbë... e jo sipas punës e qëllimeve të mira a të këqia që kanë.

Etiketat janë tamam si ato mirazhet në shkretëtirën e Saharasë, i sheh nga larg, por kur shkon të pish ujë, mbetesh thatë. Etiketat na pengojnë më shumë se çdo gjë tjetër të shohim më qartë, të njohim. Po ndodh gjithmonë e më shpesh që puna e disa njerëzve merret vesh më mirë vetëm pasi vdesin. Duket sikur vdekja u hedh përtej etiketën dhe të tjerët përreth, papritur, shohin më qartë, e njohin më mirë për punën e mirë a të keqe që la filani apo fisteku në shërbim të të gjithëve.

Prandaj them. Përpiqemi të djegim etiketat sa jemi gjallë, e të njohim më mirë njëri-tjetrin. E sidomos, përpiqemi të dallojmë mes nesh ata që kanë qëllime të mira, fisnike, nga ata që kanë qëllime të këqia. Si t’i dallojmë? Zakonisht fisnikët kanë punuar gjithmonë për të mirën e njerëzimit, për të mirën e kujtdo. Një Krisht, një Buda, një Muhamed, një Leonardo Da Vinci, një Mikelanxhelo, një Frojd, një Martin Luther King, një Nënë Terezë, një poet, një artist, një humanist, një klerik, një mësues, një trajner, vë punën e tij në shërbim të të tjerëve dhe ajo që ai bën, bëhet pasuri e të gjithëve, materiale, apo shpirtërore. Shërben për të evoluuar e për t’u përmirësuar në vite.

Nga ana tjetër janë njerëzit e qëllimit të keq, të cilët, pavarësisht etiketave, dallohen nga të mësipërmit sepse duan vetëm të grumbullojnë për vete, të përvetësojnë. Mbledhin e mbledhin çdo gjë që ishte e mirë e përbashkët: ata bëjnë shtëpi gjigande, i shtojnë njëra pas tjetrës për të futur brenda të mirat materiale që u marrin të tjerëve.

Për të dalluar qëllimet e mira nga qëllimet e këqia, duhet ndjeshmëri e lartë. Duhen rritur e mësuar njerëz të ndjeshëm ndaj të bukurës, natyrës, artit... E kjo them është detyra më e madhe e një shoqërie që pëlqen zhvillimin. Kjo është detyra më fisnike e nënave, edukatorëve, artistëve, politikanëve, gazetarëve: të ndihmojmë njëri-tjetrin për të pasur dritën e duhur të një pishtari që të na bëjë të dallojmë të mirën nga e keqja,duke flakur etiketat.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?