‘Pylli i rralluar’, muzika e Feim Ibrahimit, në tri qytete, e bija përfundon romancën e lënë përgjysmë: Çdo notë, e lidhur me një kujtim

11 Nëntor 2022, 16:58| Përditesimi: 11 Nëntor 2022, 17:04

  • Share

Për ata që s’janë më, e genden  mes veprash e kujtimesh... Personalitetet që largohen fizikisht e që e bëjnë Peizazhin e pyllit të rralluar, muzika e Feim Ibrahimit e poezia e përzgjedhur rrugëtojnë në tri qytete.  Mbrëmja e së enjtes, nisi në Katedralen Ortodokse, duke krijuar një përshpirtje përmes tingujsh...

“Pylli që rrallohet është metaforë, janë drurët e lashtë, janë njerëzit që i largohen kësaj bote... bazuar në poezinë e Agollit, njerëz që mungojnë në familjet tona”, shprehet pianistja Etrita Ibrahimi.

Nga ‘Peizazhi i pyllit të rralluar’, ndërtuar mbi poezinë e Dritëro Agollit,  ‘Natë e bukur’ me vargjet e Gëtes,  e dy veprat e fundit  ndërtuar mbi ‘La tua veste e bianca’ e poetit Salvadore Quasimondo dhe dialogu për violonçel e piano, muzika e Feim Ibrahimit, e ka të lehtë të komunikojë... 

“E mbaj mend tim atë kur kompozonte. E kishte zakon që fillonte shumë gjëra.  Siç i vinte inspirimi kompozonte dhe pjesë për balet, sinfoni, romanca etj”, thotë Ibrahimi.

Romanca “Pylli” që kompozitori la përgjysmë, është plotësuar nga e bija e u luajt për herë të parë e plotë.

“Parti i pianos mbeti i papërfunduar, u la përgjysmë dhe unë e përfundova një vit më parë, duke e luajtur mbrëmjen e djeshme për herë të parë. Kjo është hera ime e parë që përfundoj diçka që ai e ka lënë përgjysmë dhe më dukej sikur po e sillja pak këtu me atë pianon tonë në Tiranë, në jetën e përditshme dhe kur e kam mbaruar kam ndjerë emocion, një ndjesi plotësimi”, thotë ajo.

Ndërsa këngët, nga “Mirëmëngjes’ te “Rrjedh në këngë e ligjërime”, janë arranxhuar nga muzikanti Genc Tukiçi, e u jep zë Vikena Kamenica.  Krahas Tukiçit, Etrita luan në piano pjesët e babait, ndërsa  në viollonçel performoi artisti Klaudio Zoto...

Ndërsa së shpejti partiturat do të jenë të botuara dhe koncerti në një CD, Etrita rrëfen si përjetohen koncertet që mbahen me muzikën e të atit në familje, veçmas nga nëna e saj, Vera.

“Mamaja e përjeton me shumë emocion, sepse çdo notë që luhet është e lidhur me një kujtim të saj” shprehet më tej pianistja.

Në 12 nëntor, koncerti ‘Peizazhi i pyllit të harruar’ mbahet në vendlindjen e Ibrahimit, në teatrin ‘Zihni Sako’ në Gjirokastër, ndërsa në 14 nëntor në qytetin ku u rrit, në teatrin Aleksandër Moisiu në Durrës.  Në radhët e spektatorëve gjatë mbrëmjes së parë ishte edhe djali i Etritës, që me gjyshin njihet jo vetëm përmes fotografive e rrëfimeve, por edhe muzikës.

“Shpresoj që im bir, ndonëse nuk e ka njohur,  një ditë ta kuptojë tamam figurën e gjyshit të tij dhe ta çojë përpara emrin e tij, ky është misioni i familjes sonë “, shton më tej ajo.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?