Studentët e shtatë universiteteve kryesore në Shqipëri ‘ngelin në klasë’ pedagogët e tyre sa i përket kërkimit shkencor, praktikës mësimore, literaturës së trajtuar dhe aksesit në libra dhe revista akademike. Duke iu përgjigjur një pyetësori të Kontrollit të Lartë të Shtetit, shumica e studentëve të pyetur të Universitetit të Tiranës, Universitetit të Mjekisë Tiranë, Universitetit Bujqësor Tiranë, Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit “Fan S. Noli” Korçë, kanë vlerësuar me ‘dobët’ stafin akademik për punën kërkimore shkencore. Po ashtu, shumica e studentëve kanë vlerësuar me dobët literaturën e programeve universitare. KLSH thekson se literatura e nevojshme përbën një nga elementët kyç për një student që ndjek programet universitare (dhe jo vetëm).
Por, sipas raportit, situata na paraqitet në një gjendje jo të duhur për sa i takon rëndësisë që ka, pasi shumica e studentëve të pyetur i qëndrojnë mendimit se literatura ka qenë dobët (310) apo mjaftueshëm (305) për të garantuar një mbarëvajtje mësimore optimale. Gjithashtu, shumica e studentëve janë përgjigjur me ‘dobët’ kur janë pyetur për aksesin në libra dhe revista akademike. “Aksesi në libra dhe revista akademike është i domosdoshëm për zgjerimin njohurive cilësore. Përgjigja dobët (330) rezulton të jetë më e zgjedhura me një diferencë të madhe nga përgjigjet e tjera. Më pas, si më të zgjedhurat renditen opinionet si, të mjaftueshëm (280) dhe të mirë (230). Aksesi në revista elektronike mund të konsiderohet në nivel jo të dëshirueshëm pasi, në përgjigjet e marra, studentët janë të mendimit se ka qenë i dobët (370) dhe shumë i dobët (rreth 350). Alternativat e tjera kanë një diferencë të theksuar në krahasim me ato më të zgjedhurat”, thuhet në raportin e KLSH.
Përfitimi i dijeve
Të pyetur sa i takon përfitimit të dijeve dhe aftësive që marrin nga lëndët e trajtuara në universitet e tyre, shumica e studentëve janë përgjigjur me ‘mjaftueshëm’. “Përfitimi i dijeve dhe aftësive që marrin nga këto lëndë rezulton të jetë i mjaftueshëm (që ka marrë 310 përgjigje) në pjesën më të madhe të përgjigjeve. Më pas renditen opinione të cilat e vlerësojnë si të mirë (280) efektivitetin e këtyre lëndëve dhe në të njëjtin raport me to janë dhe ata që mendojnë se përfitimi nga këto lëndë ka qenë i dobët (280). Një pjesë e këndvështrimit kritik vjen dhe si pasojë e ndihmës që studentët kanë marrë në nxjerrjen rezultateve të tyre kryesore dhe nga të rejat që kanë pasur te kërkimi shkencor (pa përjashtuar dhe elementë të tjerë subjektiv apo objektiv të një reflektimi kritik). Rezultatet na tregojnë se, pjesa më e madhe e të anketuarve përgjigjen se kanë pasur, dobët (300) apo mjaftueshëm (280) referenca apo të reja në kërkimin shkencor”, thuhet në raport.
Konkluzioni
Për sa më lart, Kontrollit i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzionin se përfshirja e studenteve në veprimtari kërkimore shkencore është e ulët, stafet akademike vazhdojnë në mënyrë tradicionale dhe për shkak të mbingarkesës së lartë të jenë të fokusuar më shumë tek procesi i mësimdhënies dhe jo nga kërkimi shkencor. KLSH kërkon që institucionet e arsimit të lartë të aplikojnë/konkurrojnë me projekte cilësore dhe impakt në fushën e studimit për të përfituar financim nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Në raportin e KLSH jepen 9 rekomandime, të cilat duhet të zbatohen në vazhdimësi nga universitet kryesore në Shqipëri, për të dalë nga kjo gjendje.
Vlerësimi i shumicës së studentëve për pedagogët sipas çështjeve
Literatura e programeve universitare, (dobët)
Aksesi në libra dhe revista akademike, (dobët)
Aksesi në revista elektronike, (dobët)
Kërkimi shkencor dhe praktika, (midis dobët dhe mjaftueshëm)
Referenca apo të reja në kërkimin shkencor, (dobët)
Mësimdhënia e lëndëve me interes të veçantë (mjaftueshëm)
Përfitimi i dijeve dhe aftësive që marrin nga lëndët (mjaftueshëm)
Universitetet e testuar
Universiteti i Tiranës
Universiteti i Mjekisë Tiranë
Universiteti Bujqësor Tiranë
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë
Universiteti “Fan S. Noli” Korçë
9 rekomandimet e KLSH për universitetet
- Universiteti Fan S. Noli duhet të përfshijë dhe të promovoj punimet shkencore të studentëve në botimet shkencore të institucionit.
- IAL-të publike subjekte të auditimit të përfshijnë studentë të ciklit të dytë të studimeve në projekte kërkimore, si pjesë e vlerësimit të tyre vjetor apo në tezat e diplomës.
- IAL-të publike subjekte të auditimit të hartojnë plane të veprimit për zbatimin e Strategjisë së Kërkimit Shkencor në IAL-të publike
- IAL-të publike subjekte të auditimit duhet të përzgjedhin punime të doktoraturës në përputhje me prioritetet e kërkimit shkencor të njësive bazë dhe kërkesave të tregut të punës ne përputhje me programin e studimit.
- IAL-të publike subjekte të auditimit, të financojnë punimet e doktoraturës nga granti për kërkim shkencor të akorduar nga AKKSHI sipas përcaktimeve ligjore.
- IAL-të publike subjekte të auditimit duhet të risin financimin dhe mbështetjen për kërkim shkencor nga burimet e veta financiare.
- NJSBC-të, pranë IAL-ve publike subjekte të auditimit duhet të vlerësojnë në mënyrë periodike efektivitetin e veprimtarisë kërkimore në njësitë kryesore të tyre, në përputhje me standardet e kërkuara të Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë.
- Senatet akademike në bashkëpunim me bordet e administrimit të IAL-ve publike subjekte të auditimit të mundësojnë vendosjen e një sistemi “pikëzimi” për vlerësimin e performancës së stafit akademik në punën kërkimore shkencore dhe konvertimin e saj në shpërblim financiar.
- Universiteti i Mjekësisë, Tiranë; Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë të hartojnë raportin vjetor për vitin 2017-2018, në zbatim nenin 32 të LAL dhe udhëzimit nr. 5 datë 19.02.2018, të ministrit përgjegjës për arsimin.
PDF/ Cilësia dhe tarifimi i shërbimeve i pranë IAL-ve publike (kliko këtu që të hapet dokumenti)
Po cfare prisni si nga studentet apo petagoget kur diskutohet qe te futet si lende gjuha shqipe ne universitet. Pyetja eshte shume e thjeshte:- Me cfare gjuhe kane shkuar deri aty? Me Anglisht, Frengjisht, Rusisht apo ku ta dime? Do te thote se sistemi i ndertuar nder vite nga anti shqiptari me i madh i te gjitha koherave Sali B. po jep efektet e veta dhe ky eshte vetem fillimi. Te gjithe pushtuesit qe vijne puna e pare eshte te zhdukin gjuhen amtare te nje kombi, ky nuk ka bere tjeter vetem ka guditur qe ne embrion gjene me te shtrenjte per nje komb GJUHEN AMTARE! Ky I ashtuquajturi ‘njeri’ duhet te shpallet ‘ Non Grata’ ne vendin e tij!
Përgjigju