Puçi teknik,ministri Demiraj
250 mln lekë tendera në një ditë

2 Korrik 2017, 07:13| Përditesimi:

  • Share
TIRANE-Pas puçit teknik fshihet një puç ekonomik.

Brenda qeverisë shqiptare vijon të konsumohet një puç teknik për interesa të mirëfillta ekonomike.

Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, me anë të shtatë emisarëve të tyre në qeverinë ‘Rama’, kanë futur duart në buxhetin e shtetit. U emëruan si kujdestar të zgjedhjeve parlamentare, por ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, ditët e fundit, po bëjnë kërdinë me tendera, në sektorët kyç të qeverisjes së vendit.

Vetëm Ministria e Brendshme, e drejtuar nga tekniku i PD, Dritan Demiraj, katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare, pra në datën 29 qershor, ka shpallur 13 tendera. Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka shpallur brenda një ditë 13 tendera me vlerë 257 milionë lekë të reja. Është vlera më e madhe që pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë, i cili ndalonte çdo procedurë prokurorimi deri në përfundim të fushatës. Tenderat, të gjithë të datës 29 Qershor, janë shpallur kryesisht për blerje të kompjuterave, laptopëve, tableta, skanera, projektor, fotokopje, software, hard disk etj., për Ministrinë e Brendshme, por edhe për organe të ndryshme shtetërore, si për Agjencinë e Zhvillimi të Territorit, doganat, Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapsinor etj.

Vetëm tenderi i shpallur për blerje kompjuterash dhe pajisje të tjera ka një vlerë prej 133 037 350 lekësh. Qeveria ‘Rama’ ka pezulluar me një vendim të posaçëm zhvillimin e tenderave në vlera të mëdha deri në përfundim të deri në përfundimin e fushatës zgjedhore. Por, në kundërshtim me këtë vendim janë vetëm tenderat e zhvilluar para datës së zgjedhjeve, pra para 25 Qershorit.

Prapaskena
Në harkun kohor mes fundit të mandatit të qeverisë ‘Rama’ dhe fillimit të mandatit të dytë, kemi një gjysmë qeveri të Partisë Demokratike, brenda qeverisë socialiste, e cila ka futur duart në arkën shtetit shqiptar, në kundërshtim me verdiktin e popullit shprehur në zgjedhjet e 2015 qershorit 2017.

Tenderat duket se janë arsyeja reale e rezistencës së gjashtë ministrave dhe një zëvendëskryeministri teknikë, për të mos dhënë dorëheqjen, ndonëse misioni i tyre, në bazë të marrëveshjes politike Rama-Basha, konsiderohet i përfunduar. Firmosja e disa tenderave gjatë ditëve të fundit, nga ministrat teknikë të PD, të publikuar nga Shqiptarja.com dhe Report TV, janë vetëm maja e ajsbergut. Që pas uljes në kolltukët ministrorë si rojtarë të zgjedhjeve, ministrat teknikë, rezultojnë se janë kujdesuar më shumë për zhvillimin e dhjetave tenderave, me vlera të majme.

Teknikët’ e tjerë
Edhe ministra të tjerë teknikë, vijojnë të shpallin tendera dhe të emërojnë mulinetë të PD, si të ishin pjesë e kabinetit ‘Berisha’. Dy ministrat teknikë të Partisë Demokratike përkatësisht i drejtësisë Gazmend Bardhi dhe e Financave Hegla Vukaj tre ditë pas zgjedhjeve të 25 qershorit miratuan tarifat e reja të shërbimit përmbarimorë privat.

Dy ministrat teknik kanë miratuar dhe tarifat për shitjen e pronave në ankand ku përmbaruesi përfiton deri në 3 % të vlerës së objektit që shitet. Ndërkaq, ministri teknik i PD, Gazmend Bardhi ka emëruar djalin e ish-Presidentit Meidani, Denion Meidani drejtor të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Denion Meidani është emëruar nga Bardhi para dy javësh, pra para zhvillimit të zgjedhjeve të 25 qershorit. Ndërsa, ministrja teknike e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Xhuljeta Kërtusha, 11 ditë para zgjedhjeve, firmosi një tender për rikonstruksionin e shtëpisë së të moshuarve, që kap shifrën e rreth 72 mln lekëve pa TVSH ose 87 milionë lekëve me TVSH. Tenderin e ka fituar Xhavit Ismaili, vëllai i kryetarit të bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili i PD.
tabela demiraj

(D.T/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?