Publiku si privati! 8 mjekë ofrojnë konsultë pas orarit zyrtar tek spitali Memorial i Fierit! Tarifa 3 mijë lekë

20 Shkurt, 14:46| Përditesimi: 20 Shkurt, 14:57

  • Share

Tirane- Të gjithë mjekët e specialiteteve të ndryshme që punojnë në spitalet publike në Shqipëri dhe dëshirojnë të bëjnë punë shtesë, por nuk kanë kontratë me spitale private apo mundësi financiare për të hapur një klinikë të tyre, mund të punojnë privatisht brenda strukturave spitalore shtetërore, duke përfituar 70% të tarifës që qytetari paguan për konsultën me ta.

Spitali Memorial i Fierit, i cili ka fituar autonominë menaxheriale, është i pari në vend, i cili në fillim të muajit shkurt vuri në zbatim këtë praktikë shërbimi që qytetarët e interesuar e marrin kundrejt pagesës 3 mijë lekë të rinj.  Drejtoresha e këtij spitalit Rudina Degjoni në një intervistë për Report Tv, thotë se deri më tani janë 20 qytetarë të cilët kanë rezervuar takime me mjekët specialistë në Fier jashtë orarit të tyre zyrtar.

“Nga data 1 shkurt e deri më sot janë rreth 20 qytetarët e parë të cilët kanë përfituar konsulta të specializuara nga mjekët specialistë. Në fashat e orareve të pasdites 17.00 me 20.00 tek ata mjekë që kanë shprehur interesin” thotë Rudina Degjoni

Këtë praktikë të dyfishtë punësimi brenda spitalit shtetëror, deri më tani në Fier, e kanë marrë përsipër vetëm 8 mjekë specialistë.

“Nga 17 shërbime shëndetësore që ofrojmë në spitalin tonë, kemi aktualisht  8 mjekë specialistë që kanë shprehur dëshirën për ushtrimin e praktikës së dyfishtë, vijon më tej Drejtoresha e Spitalit Memorial të Fierit, Rudina Degjoni

30% e tarifës së qytetarit i kalon spitalit për vetë menaxhim për të investuar në pajisje, por jo vetëm.

“Në konsultë nuk do të jetë vetëm një mjek, do të shoqërohet edhe nga një arkëtar pra kemi të bëjmë me një ekip dhe ne si memorial do ta japim të barabartë edhe për punonjësit e tjerë që do të jenë pjesë e bashkëpunimit në ushtrimin e praktikës së dyfishtë”.

Drejtoresha Degjoni thotë se pranohen aplikime edhe nga mjekë të tjerë specialistë jashtë rajonit të jugut të cilët duan t’i bashkëngjiten spitalit memorial të Fierit për të ofruar konsulta pasdite.

Ora 14:56
Urgjenca e QSUT-së ende jashtë funksioni, 500 urgjenca në 10 ditë u dhanë në spitalin Menorial të Fierit

Pas zjarrit të rënë në katin -1 të urgjencës në QSUT në një nga dhomat e sherbimeve teknike ende shërbimi nuk i është kthyer normalitetit. Për këtë ministrija urdhëroi që pacientët e jugut përfshirë dhe të qarkut Berat të marrin urgjencën mjekësore në spitalin Memorial të Fierit.

“Janë 500 urgjenca mjekësore të ofruara në këto 10 ditë” thotë Rudina Degjoni, drejtore e spitalit Memorial të Fierit në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv.

Ajo thotë se është hartuar një grafikë dhe u ofrohet shërbime shëndetësore për rastet e urgjencës për qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit e Beratit.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?