PS-Rithemelimi, deputetja Bakiu në Komisionin e Medias: Turpi ngelet për ata që kanë bërë këto marrëveshje

19 Mars, 12:57| Përditesimi: 19 Mars, 14:41

  • Share

Në punimet e sotme të Komisionit të Medias në Kuvend, deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu kritikoi marrëveshjen PS-Rithemelimi.

Ajo solli në vëmendje si ‘shfaqje jo të mirë’, përplasjen e pak kohëve më parë kur Rithemelimi bllokonte seancat e komisioneve, kur deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka iu ‘hakërryen’ deputeteve të PD-së Flutura Açka dhe Merita Bakiu.

‘Më vjen mirë që jemi të gjithë këtu. Këtë kemi kërkuar që në fillim. Këtu u pa që ishte një shfaqje jo e mirë as për publikun dhe as për komisionin, megjithatë ishte detyra e kryetares së Kuvendit që të garantojë ecurinë e punimeve qoftë të komisioneve, qoftë të seancave plenare. Nuk u kërkua asnjëherë ndjesë publiku për atë sjellje.’

Nga ana tjetër, Bakiu shtoi se situata e kaosit deri dje në Kuvend dhe komisione i interesonte edhe mazhorancës pasi kalonte ligje dhe buxhetin në pak minuta pa debate.  

‘Ne pamë që kjo iu interesoj kjo gjë. Kaluat buxhetin pa asnjë lloj debati. Megjithatë ne si Parti Demokratike u munduam nëpërmjet daljeve tona televizive të bënim denoncimet tona dhe të jepnim alternativën tonë për buxhetin. Por nuk kishim se ku të shpreheshim. Por tani juve si opozitë dhe atyre që ju mbështesin ju duheshin vota që të ndryshoni kodin, që të bëni ‘kurban’ diçka tjetër, siç është reforma zgjedhore. Megjithatë ia keni arritur.’

Sa për marrëveshjen mes PS dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve, Bakiu thotë se këto lloj marrëveshjesh prishin demokracinë në vend dhe janë në dëm të shqiptarëve.

‘Besoj se kjo është në dëm të demokracisë, kjo që keni bërë me këto lloj marrëveshjesh. Duke bërë spektakle për 5 muajsh në Kuvendin e Shqipërisë dhe në fund arrini që të prishini projekte dhe projekte që ndihmojnë demokracinë në vend, por që nuk ndihmojnë as shqiptarët dhe asgjë tjetër. Këto janë marrëveshjet që janë në dëm të demokratëve, janë në dëm të shqiptarëve dhe turpi le të ngelet për ato që i kanë bërë këto marrëveshje.’

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?