Koronavirusi përveç impaktit në ekonomi si dhe në shëndetin e qytetarëve ka pasur ndikim në piskologjinë e tyre. Shqipëria kujtojmë se në momentet e para të përhapjes së koronavirusit në vend sapo kishte dalë nga trauma që kishte shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit.
Kjo ka bërë që ndikimi i koronavirusit tek psikologjia e shqiptarëve të jetë më i madh. Psikiatrja Ariana Rreli në një intervistë për Report Tv është shprehur se çrregullime të tilla si ankthi apo stresi do të vijojnë për një kohë afatgjate. Ajo ka dhënë dhe disa këshilla në mënyrë që të ulim sa më shumë ndikimin negativ të kësaj situate në shëndetin tonë mendor dhe emocional.
"Ende nuk ka studime se sa është periudha pas traumës psikologjike. COVID shkakton çrregullime të perceptimit. Duke qenë se po zgjat për një periudhë të konsiderueshme ky lloj faktori do të ketë pasoja afatgjeta. Një stres i vazhduar kronik do jetë në popullatë. Shqiptarët erdhën nga pasojat e tërmetit. Gjithë kjo pandemi ka shoqëruar pasoja sociale ekonomike në familje dhe individë. Ne duhet të mësohemi me këtë situatë. Të respektojmnë rregullat dhe kjo na bën më pak me ankth. Me forcë jeta e shëndetshme. Larg substancave që krijojnë varësi, si pije energjike, kafe. Duhet të bëjmë një jetë aktive, ecje në natyrë. Duhen bërë biseda jo toksike me njëri tjetrin. Gjithçka çfarë duken propozime shumë naive janë të rëndësishme për të krijuar barrierat. Impakti do jetë sa më minimal" - tha Rreli.
Ajo tha se personat e prekur nga COVID-19 vendosen shumë në presion për vetë faktin se janë infektuar. Kjo sipas saj rëndon dhe situatën e tyre.
"Duket sikur personi që po kalon COVIDI - n është po aq i damkosur, ky është një infeksion viral dhe do përhapet. Askush nuk është i imunizuar. Nuk është faj nëse dikush është infektuar. Ne i vendosim në një tabelë qitje. Padashje ne kontribuojmë në përkeqësimin e situatës së tyre" - tha Rreli.
Psikiatrja tha se në Shqipëri kemi shfaqje të patologjive të vogla dhe moshat më të prekura janë të rinjtë nga 20-30vjeç.
Kjo pasi ata i druhen infektimit të prindërve dhe njerëzve të tyre të dashur. Gjithashtu ajo thotë se edhe mësimi online si dhe jeta e pashëndetshme ka ndikuar tek psikologjia e tyre.
"Ka rritje të numrit të pacientëve që vuajnë nga çrregullimeve mendore. Kemi vënë dhe shfaqje të një sjellje të rënduar. Nga eksperienca ime në Shqipëri është rritur raste të patologjive minore. Ankthi obsesiv që ka lidhje me rastet e shtuara. Duket sikur virusi tek personat i ka futur më shumë në ankth. Kemi dhe një irritim të shtuar. Tani ankthi është në kohëzghjatje dhe shfaqet me nervozizëm gjë e cila mund të bëhet problematike duke marrë parasysh që ne jemi gjaknxehtë. Ne mbingarkohemi me impulse negative. Ne jemi subjekte që mund të shpërthejmë nga çasti në çast. Ajo që po vëmë re është rritja e numrit të të rinjve të grupmoshave 20-30 vjeç kërkojnë më shumë të zgjidhin problemet e tyre. Predominojnë vetëm problemet e vogla. Them që kjo është grupmosha më e prekur pasi të rinjtë janë ata që kanë futur ankth për gjyshërit dhe prindërit të tyre. Kishim mësimin online, të tjerë janë që kanë abuzuar duke bërë një jetë të pashëndetëshëm dhe janë mbivendosur këto situata stresante. Kanë më pak komplekse për të kërkuar ndihmë. Kërkojnë tek njëri tjetri zgjidhje, janë më të informuar e gjejnë vetë zgjidhjen" - tha Rreli.