Jorgo Goro

‘Pse Rama emëroi Tavon prefekt të Vlorës 9 ditë para arrestimit të Goros?’, OMONIA: Drejtimin e Himarës ta marrë një nga këshilltarët e ‘BF’

24 Mars, 14:20| Përditesimi: 24 Mars, 14:44

  • Share

OMONIA ka reaguar në një deklaratë për shtyp lidhur me arrestimin e kryetarit në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. Ky i fundit ra në pranga mbrëmjen e 23 marsit, ndërsa akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në dy raste.

OMONIA ka ngritur disa pikëpyetje në deklaratë, si përse Rama ka emëruar Vangjel Tavon Prefekt të Vlorës, duke aluduar se mund të emërohet si kryebashkiak, apo edhe se përse SPAK priti kaq gjatë për arrestimin e Goros dhe përse nuk ka çuar në pranga as Artan Gaçin.

Në fund, OMONIA e mbyll deklaratën duke thënë se duke qenë se nuk po lejojnë betimin e Fredi Belerit, drejtimin e Bashkisë së Himarës duhet ta marrë një nga këshilltarët bashkiakë të koalicionit fitues të zgjedhjeve vendore të majit 2023

Deklarata e plotë

Ideja e Ramës për të emëruar ish-deputetin socialist me origjinë nga Dropulli, Vangjel Tavon, si kryetar të Bashkisë Himarë, u dëgjua për herë të parë në Krishtlindjet e vitit 2023. Vangjel Tavo, për nder të tij, e mohoi këtë gjë në atë kohë. Gjithsesi, rezulton se në Shqipëri asgjë nuk është e rastësishme. Në 3 javët e fundit ka ndodhur si më poshtë:

5 Mars 2024: Kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, u dënua në shkallë të parë në një proces gjyqësor pa prova.

14 Mars 2024: Prefekti i Vlorës u zëvendësua papritur nga Vangjel Tavo.

21 mars 2024: Gjykata Kushtetuese legalizoi paraburgimin e Belerit.

23 Mars 2024: Arrestohet i përzgjedhuri i Ramës dhe humbësi i zgjedhjeve vendore, Jorgo Goro, i cili vazhdoi të drejtojë Himarën për 10 muaj pas humbjes së tij.

Shtrohen pyetjet:

- Përse Rama e emëroi Tavon Prefekt nëntë ditë para se Goro të arrestohej? A ishte për t'ia kaluar atij administratën e bashkisë së Himarës pas paraburgimit të Goros? Mos ndoshta për ta caktuar si kandidat për zgjedhjet e pritshme vendore pas dënimit përfundimtar të kryebashkiakut Beleri?

- Përse prokuroria e SPAK priti kaq muaj për të arrestuar Goron? Mos ndoshta priti të përfundonte gjyqi në Gjykatën Kushtetuese?

- Përse prokuroria e SPAK nuk arrestoi edhe Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, në favor të të cilit u krye falsifikimi për të cilin akuzohet Goro?

- Përse nuk arrestoi prokuroria e SPAK-ut edhe ata që i dhanë Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme Xhaçka, statusin e investitorit strategjik për një pasuri të fituar me falsifikim?

Pas këtyre zhvillimeve, a besoni ende në pavarësinë e SPAK-ut dhe të drejtësisë në përgjithësi?

Nga momenti që z. Rama e ka vendosur përfundimisht të shkelë ligjet dhe Kushtetutën e vendit duke mos lejuar kryetarin e zgjedhur të betohet, dëshirojmë t’i kujtojmë se më 22 dhjetor 2023, deklaroi se do të ndiqte “praktikat më të mira europiane” për bashkinë e Himarës. Kjo do të thotë vetëm një gjë: Kushdo që merr drejtimin e përkohshëm të bashkisë Himarë deri në lirimin dhe betimin e Fredi Belerit, duhet të jetë një nga këshilltarët bashkiakë të koalicionit fitues të zgjedhjeve vendore të majit 2023. Nuk mund të jetë dikush pa lidhje me votën e popullit të Himarës dhe aq më tepër nuk mund të jetë nga një zonë tjetër jashtë bashkisë së Himarës. Ne Himariotët duam si kryetar bashkie njeriun që ne votuam dhe jo atë që i pëlqen Ramës.


Lajmi kryesor:

Arrestimi i Jorgo Goros, Vangjel Dule: I dirigjuar nga Rama, Fredi Beleri duhet të betohet sa më parë si kryebashkiak i Himarës


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?