Gazment Bardhi

Ylli Pata: Pse po i firojnë deputetët Gaz Bardhit?

3 Tetor 2023, 19:11| Përditesimi: 3 Tetor 2023, 23:39

  • Share

Siç u raportua, sot në takimin e përbashkët të Gazmend Bardhit dhe Sali Berishës, u mblodhën 28 deputetë, nga 50 që ishin ditën e parë. Sado që u tentua të shitej dita e parë si “takimi i bashkimit”, realisht ajo ishte një manovër politike e pastër brenda opozitës.

Manovër, që bashkonte synimet e përbashkëta të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit për të dobësuar politikisht Lulzim Bashën, i cili arriti të zgjidhet në krye të Partisë Demokratike, me anë të një procesi votimi nga anëtarët, ku normalisht nuk kishte garë. Megjithatë, kjo manovër, nuk është sfiduese, pra një betejë politike për lidershipin e opozitës, por thjesht një lëvizje për të bërë një puç pallati brenda PD-së me anë të deputetëve.

Deputetë, të cilët tashmë kanë mbetur jashtë një procesi politik brenda PD-së zyrtare, e cila edhe pse duhet thënë se është rrudhur mjaft, ka arritur të krijojë brenda atij komuniteti një identitet politik që po dëshmon synimet dhe përbërjen e vet çdo ditë, edhe pse duhet thënë me një ndrojtje e gjysëm ilegaliteti.

Partia Demokratike e Lulzim Bashës, politikisht është një grupim i pastër anti-Berishë, i cili pasaportën e saj e ka anonçuar si pro SHBA, pro Bashkimit Europian, pro reformës në drejtësi, mbështetëse e SPAK dhe kundër klasës së vjetër politike.

Nga aspekti organizativ, PD-ja e Lulzim Bashës, është një strukturë e mbijetuar nga sulmi dy vjeçar i foltores për të marrë Partinë Demokratike, e skeleti i saj janë degët e rretheve. Të cilat nuk janë kudo njësoj, por ka pjesë që janë më të forta, më numeroze në anëtarë, e pjesë që janë struktura të vogla të shpëtuara nga apokalipsi që nisi më 8 janar 2022.

PD e Lulzim Bashës, organizativisht është më e fortë në bastionet e PD-së, por edhe në qytetet e mëdha në vend. Shkodra mbetet edhe zona me fuqinë më të madhe në territor, ku janë regjistruar pjesa më e madhe e anëtarësisë që kanë qenë para ndarjes.

Ndërkaq, Foltorja e Sali Berishës, edhe pse me manovrat e saj frenetike, pati një mobilizim të shumë grupeve e personazheve që ishin larguar apo mërzitur nga Lulzim Basha, sot ajo nuk ka një identitet të qartë organizativ. Zgjedhjet e 14 majit, ku falë ndihmës së Gazment Bardhit, Berisha arriti të garojë si parti e vetme e opozitës në garën e kryebashkiakëve, treguan se në territori si Foltorja, partia e Ilir Metës, apo grupimi i Gaz Bardhit nuk kanë sy për qabe.

Aksioni i tyre është nga lart, e Kukësi, në zgjedhjet e përsëritura ishte një sinjal shumë i qartë, edhe pse investimi i Berishës dhe i Bardhit ishte i fortë.

Sali Berisha, si figurë dominante e PD-së për 30 vjet do të ketë gjithmonë rrethin e tij të influencës, madje mund të quhet fare mirë edhe lob apo grup interesi. Jo vetëm sot, por edhe në shumë vite më pas. Megjithatë, zgjedhjet e treguan se baza nuk i përgjigjet më. Në fakt, kjo panoramë shikohej qartëe e nuk kishte nevojë për analiza të hollësishme shifrash në territor, por gjithsesi të vetmit që nuk e shikonin ishin Berisha vetë e grupi i tij, por edhe mjaft të tjerë që kërkonin të përfitonin nga doktori për të bërë karrierë politike brenda opozitës.

Tani, çdo ditë e më shumë po vihet re se shumë nga grupet apo personazhet që tentuan ta përdorin Berishën, si një trampolinë politike, po largohen, pasi e shikojnë qartë se me të nuk kanë asnjë të ardhme.

Në rrjete apo media të ndryshme, mjaft nga këta persona që jo vetëm e përkrahën foltoren, por sulmonin egërsisht si “arkaikë” ata që vijonin siç thonin ata “të merren me Berishën”, sot e artikulojnë qartë se “populli opozitar nuk e do më këtë elitë të opozitës”. Disa e përmendin me emër e disa jo doktorin, por shikohet qartë se ka nisur një process i brendshëm. Madje edhe mbështetës të fortë e radikalë të Berishës si grupimi “antisoros” e “no-vax” tashmë është distancuar prej tij.

Logjikisht, të gjithë do të ecin më vete, e do të studiojnë duke pritur lëvizjet që vijnë nga opozita për tu atashuar me personazhin më të rëndësishëm që del nga ajo.

Po a mundet Gaz Bardhi të bëhet një personazh i tillë? Gjasat janë, ose më mirë ishin, por ai nuk pati kurajo të bëjë betejë.

Dy ishin rrugërt e Bardhit për të dalë si një personazh me peshë në opozitë: ose të bente betejë me Lulzim Bashës brenda PD-së, pra ta sfidonte atë, ose të merrte drejtimin e Foltores, apo më mirë bashkëdrejtimin, duke regjistruar grupin parlamentar të 50-ëshes si grup i veçantë politik në Kuvend. E më pas, aksionin ta shtrinte në bazë, duke kërkuar konsensusin e anëtarësisë dhe votuesve të opozitës. Por Bardhi nuk tentoi as njërën as tjetrën. Në PD, bëri një betejë të nëndheshme për të mos e regjistruar atë si parti kryesore në shumicën e bashkive të vendit më 14 maj, me synimin për të shkatërruar përfundimisht Lulzim Bashën, e për t’i prishur planin për të rimarrë partinë. Kësaj nuk ja doli. Tani i ka mbetur vetëm një mundësi; të sfidojë doktorin e t’i marrë foltoren. A e bën dot ai këtë?!

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Karakushi: 04/10/2023 07:13

    I sheh foto te ketyre politikaneve tane dhe habitesh... gjithmoje dalin te qeshur por me nje zerdheshje prej delenxhinjsh, rrufjanesh, idiot eshte qe nuk ka psikolog qe ta kuptoj sepse ka shume nuanca dallkaukllëku... a kaje arsye keta te qeshin pervecse jane bere per te qeshur??

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?