Pse “Elozhe dyshimit"?

4 Dhjetor 2013, 06:44| Përditesimi:

  • Share
TORINO- Nëse mendojmë për dyshimin, apo për gjendjen kur normalisht dyshojmë për dikë ose diçka, përgjithësisht ne i referohemi fjalës “dyshim” në kuptimin e kundërt të saj, pra “nuk jemi të sigurtë”. Si rrjedhim dyshimi korrespondon me ndjenjën i të qenit i pasigurt në vetvete. Kjo shprehet me fjalët “pa dyshim”, “pa pikën e dyshimit”, etj.
Por dyshimi ka dy anë. Është si të thuash një monedhë me dy fytyra. Si rrjedhim: ka një anë pozitive dhe një anë negative. Në sensin negativ, dyshimi çon në paralizë, në atë lloj palëvizshmërie tipike të gjendjes së panikut, e cila më pas çon në nihilizëm. Por, nga ana tjetër, nëse dyshimi interpretohet dhe adresohet si duhet, i korrespondon një hapësirë plot gjallëri lëvizjeje që tenton të ecë drejt diçkaje që ju vetë dëshironi (në fund të fundit, kjo është arsyeja për të cilën ju filloni të dyshoni).

Në nivel social, sidomos në dekadën e fundit, dyshimi prek thuajse gjithkënd. Nuk ka më siguri se një punë do ta kesh gjithmonë (kjo të paktën në vendet e Europës së vjetër). Por kjo ndodh gjithashtu edhe në vendet e konsideruara sot si ish-Europa Lindore, ku format e reja të demokracisë përplasen midis dëshirës për të pasur modelet perëndimore, dhe traditave të forta kulturore akoma të ngulitura fort mes brezave të ndryshëm. Në këto vende ëndrrat dhe utopitë për ndryshim duken sikur janë në një pikë ngrirje dhe të krahasueshme me gjendjen e dyshimit. Në fakt zhgënjimi dhe pakënaqësia mes brezit të ri të artistëve nën moshën 30 vjeç, të cilët studiuan në Akademitë Perëndimore të artit, vjen si rezultat i asaj që perceptohet prej tyre si dështim i politikave dhe premtimeve qeveritare për një renaissance kulturore.

Kohët e fundit ne jemi dyshimtarë (pa qëllimin për të përgjithësuar dhe futur në një kosh të gjitha vendet) të një tensioni të përhapur. Kjo valë shihet në shumë raste: nga Shqipëria tek Bullgaria, nga Greqia apo kombe të tjera europiane si Irlanda, Spanja, Portugalia, apo qoftë edhe Italia, tek vendet e “Pranverës Arabe”. Ky tension i shprehur është më shumë një ndjenjë ankthi individual sesa kolektiv, që përfshin pasigurinë e të lëvizurit nga vendi ku gjendesh, e të qëndruarit “ngrirë” aty ku je. E kjo është një gjendje që përputhet me gjendjen tipike të dyshimit. Frika e mosrealizimit me sukses të dëshirave dhe projekteve personale do të thotë që ëndrrat të mos përmbushen dhe vetëbesimi të gjymtohet.

Sa herë që mungesa e besimit analizohet një pyetje del natyrshëm: “A mund të kemi ndonjëherë vërtet besim të plotë dhe shpresë tek vetja dhe të tjerët?” Kjo është një pyetje e hapur që mbështetet në besimin që e kemi të trashëguar nga intuita jonë bazë, si atëherë kur, simbolikisht, e qara e parë na del nga brenda.

Në fund të fundit, jetët tona shënjohen përfundimisht nga një kërkim i vazhdueshëm për siguri dhe permanencë (dhe në të gjitha sferat e jetës: nga besimi në një marrëdhënie, shprehur me konvencionin e martesës apo bashkimit civil; te kontrata permanente e punës; te kredia për të siguruar dhe blerë një pronë të paluajtshme).

Gjithsesi, në epokën globale të hiper-fleksibilitetit dhe super-shpejtësisë ka një aspekt i cili është krejtësisht i ndryshëm në krahasim me të shkuarën: një qasje për tu marrë me të tashmen, që është diçka e re. Pa reshtur ne dyzohemi mes një kohe që nuk na projekton shumë larg, në sensin që nuk rrëmon në të shkuarën (në kuptimin e nostalgjisë për të kaluarën), por në të njëjtën kohë edhe përpara nuk ecën (p.sh. nuk ka perspektiva afatgjata). Dhe në këtë gjendje pezullie, ajo çka mbijeton është ndjenja këmbëngulëse e dyshimit që korrespondon me “të qenit pikërisht në të tashmen”. Në çdo lloj rasti, kjo gjendje e dyshimit i lejon artistëve për të kapërcyer këtë moment në kohë më një vetëdije më të mprehtë. Me fjalë të tjera: nuk rreshtin së kërkuari kuptimin, domethënien.
 
 Shkrimi u publikua sot (04.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?