Foto ilustruese

Pse Demokracia jonë prodhon humor?!

28 Qershor 2023, 16:33| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 16:35

  • Share

Në prag të zgjedhjeve, publiku dëgjon rëndom për “kulturën” demokratike të kandidatëve, por më shumë se kaq mbytet nga premtimet. Kandidatët ta japin gati “ta prekësh” me dorë mirëqenien, që nga rritja e rrogave, fabrikat e reja, shërbimet më efektive, pensionet e çka do gjë tjetër, që mund të çoj një qytetar i thjeshtë në mëndje. Të tjerëve, sikur protesta bëhet fët e fët, u kujtojnë se është fare e kotë të protestosh në të ardhmen nëse nuk voton. Që në mëngjes herët, patronazhistët e partive apo militantët përgjegjës të bëjnë me dije se duhet të votosh patjetër. Menjëherë të shënohet emri, që aksh votoi. Disa dinë dhe projeksionet!! “Votoni herët dhe votoni shpesh”, të vjen ndërmend për humor një shprehje e princit të batakçinjve, Al Kapone, që duket se e ka thënë për ne, sepse në zgjedhje ndodh që janë zakonisht të fortët, që i rregullojnë punët. 

Humori i fushatave zgjedhore është nga më të mëdhatë në vendin tonë: nga ata që premtonin dikur drita 24 orë, kur energjia ishte iluzion; apo ujin për të gjithë ditën dhe penalitetet ndaj ndërtuesve pa leje. Publiku i sillet para syve si në një karusel gjigand, për më shumë se një muaj, se vota e tyre është mënyra e vetme për ta luftuar pushtetin e padrejtë, që nuk mendon për ta; korrupsionin, që gërryen shtetin; ikjen masive, që nuk di të ndalet; papunësinë; pagesat e ulëta, që e bëjnë vendin të pajetueshëm; të drejtat e barabarta dhe të njeriut. Dhe, pastaj, nguti kur të kujtojnë të ardhmen dhe sikur të jesh fëmijë porositesh të kontrollosh emrin për të votuar. Qershia mbi tortë: Që një ndryshim të ndodhë, “ai fillon nga ty”.

Të kujton pak mesazhin e Uncle Sam: “I want You!” Sikur populli të jetë dele. Çërçilli kishte një sens humori që e tregoi kurdo që i jepej mundësi, por këtë ia kushtoi dhe zgjedhjeve: “Argumenti më i mirë kundër demokracisë është një bisedë pesë minutëshe me votuesin mesatar”. Është pikërisht ai votues që nuk ia hedh dot dhe ai që mban mbi supet e veta të gjitha problematikat e vendit, por edhe që kupton sesa larg janë premtimet me gjërat e realizueshme.

Paradokset e zgjedhjeve tona

Duke pasur probleme pafund në zgjedhje, që zakonisht evidentohen nga opozitat e radhës dhe certifikohen rëndom si zgjedhje normale e të mira nga OSBE\ODHIR, demokracia shqiptare ka bërë një akt, që tregon nga dita në ditë se është shumë humoristik, gati grotesk: Kartën e Deklarimit solemn të partive, një koncept abstrakt për kushtet e Shqipërisë sanksionuar edhe nga Kodi Zgjedhor. Ai interpretohet de jure si akti i refuzimit publik të politikanëve ndaj shitblerjes & financimit informal. Partitë nëpërmjet kryetarëve të tyre bëjnë deklaratën solemne, që e kanë firmuar kryetarët respektivë, një akt që zgjedhjet e fundit, me pretendimet e opozitës, jo vetëm nuk ndikoi, jo vetëm që është e harruar, por nuk është se ka treguar ndonjë klas më të lartë për standardet tona elektorale, qoftë edhe për mënyrën sesi partitë e anatemojnë njëra-tjetrën në fushatë. A bëri ky dokument “i shenjtë”, që palët të mos ofendonin njëra-tjetrën deri me fjalët e fundit; a bëri që të reduktohet shitblerja e votave; a bëri vallë që të ishin transparente financimet; a bëri që të mos ishin pjesëmarrës edhe individë me rekorde negative nga dekriminalizimi?!

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, subjektet politike jo vetëm nuk e mbajtën premtimin, por një mori e tërë raportesh kritike dhe kundërshtish rrodhën nga palët kundërshtare. Mbështetja nga individë me rekorde kriminale vijoi, përfshirë këtu edhe shitblerja e votave në zona të caktuara, si dhe përfshirja në fushatë e individëve të larguar nga dekriminalizimi. Një vëzhgim i ISP-së për zgjedhjet e pjesshme tregoi se: “asnjë nga subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit nuk ka krijuar ende mekanizëm transparent të burimeve të financimit elektoral, të integritetit të përfaqësuesve të strukturat e administrimit zgjedhor dhe as të evitimit të financimeve informale. Asnjë palë ende nuk ka bërë distancime nga individët me rekorde kriminale apo me burime informale financimi”.

Dosjet zgjedhore

Nëse sistemi ynë i Drejtësisë është flegmatik me afatet e zgjidhjeve të çështjeve në rastin e dosjeve të parregullsive të zgjedhjeve, sot ka treguar se është “indiferent” dhe se fenomeni i problemeve të zgjedhjeve as nuk i bën përshtypje, paçka strukturave të shumta.

Skandalet e votave në Dibër, Durrës, Lezhë, Peqin, Elbasan, Shkodër e Durrës, jo vetëm si përfshijnë figura të rëndësishme politike dhe zyrtare, të cilët për shkak të imunitetit nuk hetohen dhe madje promovohen, do citohej pak kohë më parë politologu Krasniqi nga BIRN. Dhe, ndëshkimet minimale janë krejt në përpjestim të zhdrejtë me dëmin dhe ato që pritej nga sistemi i drejtësisë, apo deklaratat e ndershmërisë. U desh të kalonin vite që pasi u përgjuan nga Prokuroria në përpjekje për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 11 shtator 2016 për Bashkinë e Dibrës, çështja ndaj katër zyrtarëve lokalë t’i afrohej fundit.

Vetëm më 13 dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata e Dibrës dënoi me 120 orë punë publike ish-drejtorin lokal të Arsimit, Drini Gjeci, dhe me 16 muaj dënim me kusht për Nuri Medën, ish-administrator i një njësie. E njëjta situatë për ish-shefin e komisariatit, Robert Aga dhe ish-administratorin Hasan Hoti. Dosja e njohur publikisht me nr. 184 ishte ndër më të lakuarat dhe nga më impenjativet e Drejtësisë mbi krimet zgjedhore. Bashkë me simotrën “Dosjen 339” me përgjime mbi ndërhyrjet e krimit të organizuar në zgjedhjet e vitit 2017 në Durrës.

Të mendosh rëndësinë e kupton sepse ato u bënë shkak që opozita të braktiste parlamentin dhe më pas edhe zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke sjellë atë krizë politike, që me sa duket nuk do mbyllet dot. Sërish duke iu referuar statistikave të publikuara nga Ministria e Drejtësisë, prej vitit 2013 janë dhënë 79 vendime fajësie për krime zgjedhore nga gjykatat e vendit, por vetëm njëri prej tyre është më shumë se dy vjet burgim.

Situatë të ngjashme paraqesin gati edhe hetimet dhe dënimet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje”, të cilat prej vitit 2020 hetohen nga Struktura e Posaçme, SPAK. Nëse Drejtësia do e kishte seriozisht do të bënin identifikimin e shpejtë, çuarjen e shpejtë dhe dënimin e shpejtë. Ky ishte një nga shqetësimet që ngrinte pak kohë më parë profesori i të drejtës Njazi Jaho, por që tashmë nuk është se dëgjohet shumë.

Nëse sistemi ynë i drejtësisë dhe të gjithë faktorët do të ishin seriozë, atëherë Karta e Deklarimit e Solemn do përbënte faktor dhe më shumë akoma vetë Sistemi ynë i Drejtësisë do përshtaste Kodin Penal për natyrën e krizave dhe parregullsive tona zgjedhore. Por, kjo nuk ndodh pasi krimet dhe kundravajtjet zgjedhore zgjasin aq shumë saqë kur jepen verdiktet ato janë harruar. Është e famshmja shtyrje me procedurë, që e di mirë çdo politikan tek ne dhe që ia hedh paq me Drejtësinë. Kjo i shërben edhe Berishës, sot, si kauza e vetme e opozitës për të justifikuar dhe humbjen, që për hir të së vërtetës nuk ishte se i erdhi nga kjo. Shqipëria vuan standardet dhe respektin për institucionet zgjedhore dhe nga një Drejtësi, që nuk e kupton rëndësinë e saj. Është aq e përhapur dhe e tepruar, kjo mënyrë të vepruari, saqë tashmë kemi përfunduar në humor dhe mënyra sesi “manovrohet” me votën. Kjo na bën groteskë por edhe na kujton demokracinë alla Shqipëri, që nuk mendon më për përfaqësimin cilësor por për mbajtjen e pushtetit. Që në fakt e gjen ndonjë ngushëllim, si për shembull deri edhe në batutat e moderatorit të NBC dhe komedianit Jay Reno: “Nëse Zoti do të kishte dashur që ne të votojmë, ai do të na kishte dhënë kandidatët e duhur”. 

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • beni: 29/06/2023 12:58

    pirth pirth se lirohesh gerr merr 30 vjet kush nuk i di kto gjera ke gjidhje ti apo futja kot

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?