Pasi Taulant Balla deklaroi sot se Kuvendi do të adresojë çështjen e pjesëmarrjes në seancat Parlamentare të Sali Berishës, që sipas Ballës janë të papranueshme, ka reaguar pjesëtari i Rithemelimit, Luçiano Boçi.
Përmes një postimi në Facebook, Boçi tha se Taulant Balla, “Ish-sekretar i përgjithshëm i partisë ish-komuniste”, nuk ka të drejtë të vërë në diskutim pjesëmarrjen e Sali Berishës “shëmbësit të diktaturës” në Kuvend.
Boçi e paralelizoi kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë me Presidiumi i Kuvendit popullor të Shqipërisë në Komunizëm, që firmoste për ekzekutimin e poetëve, si Havzi Nela.
“Ish-Sekretari i përgjithshëm i partisë ish-komuniste dhe ish-punës, partisë së miqësisë së pathyeshme jugosllavo-sovjetike-kineze, sot socialiste, “këngëtari” i palodhur, na paraqitet sot i shqetësuar për praninë në parlament të Sali Berishës, shembësit të diktaturës Hoxhiste dhe shpurës së tij, iniciatorit e firmosësit të rivendosjes së marrëdhenieve me SHBA e BE, të rrugës për në BE, të hyrjes së Shqipërisë në NATO, etj.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të partisë ish-komuniste e ish e punës, Presidiumi i Kuvendit popullor të Shqipërisë (tani Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë) që firmoste varjen e poetëve para viteve ‘90, do na ndërmarrka iniciativa për dënimin e atij që luajti rolin kryesor në rrëzimin e diktaturës të etërve. Bijtë duan revansh… nga frika e shtatorit! Por kush mbjell erën, do korrë fortunën-thotë populli!”, shkroi Boçi.
Lajmi kryesor:
PS paralajmëron ndryshime në shtator: Absurde si një sekretar partie i shpallur non grata përdhos institucionin e Kuvendit
D.GJ/ReportTv.al