PS-LSI-PDIU miratojnë ligjin e
Vetingut, PD vetëpërjashtohet

31 Gusht 2016, 06:54| Përditesimi:

  • Share
Jo 84, por 88 vota siguroi koalicioni qeverisës për të miratuar ligjin “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” e vetme, pa asnjë votë të mazhorancës. Pas debatit politik dhe bojkotit të opozitës, mazhoranca ngriti kartonët e saj jeshilë për të miratuar ligjin që fillon praktikisht pastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit.

88 votave të mazhorancës ju bashkuan të gjitha votat e PDIU-së, LSI-së, Armando Prenga i vetëpezulluar nga parlamenti, si dhe Tom Doshi, duke zhgënjyer të gjithë skeptikët se mazhoranca nuk mund të arrinte e vetme shumicën e cilësuar. I vetmi që abstenoi gjatë gjithë votimit ishte Vangjel Dule, teksa mungoi Nard Ndoka dhe deputetja socialiste Mira Shehu që nuk ndodhej në Shqipëri.

Opozita, e cila më herët kishte shprehur kundërshtinë e saj për këtë variant të ligjit, nuk dha votën kundër të saj, por bojkotoi. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, e deri atëherë pritet firma e Presidentit të Republikës për dekretimin ose jo të tij. PD është zotuar se do ta dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese duke paralajmëruar se zbatimi i këtij ligji do të kërkojë kohë.

Ligji për vetingun, është më i rëndësishmi në të gjithë reformën në drejtësi dhe përbën gjithë thelbin e saj. Ai përcakton mënyrën se si do të verifikohet pasuria, lidhjet me krimin dhe afëtësitë profesionale të gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe ndihmësve ligjorë të tyre. Bashkë me ligjin janë miratuar dhe 5 shtojca, që përbëjnë 5 formularë me të cilët do të rrëfehen subjektet e rivlerësimit.  

Procesi
Procesi i vetingut do të jetë i ngjashëm më atë të dekriminalizimit për nga procedura që do të ndiqet për bërjen e tij.

Së pari, prokurorët dhe gjyqtarët do të duhet të plotësojnë nga 4 formularë me pyetje rreth tyre, dhe më pas do të bëhet përmes strukturave të vetingut verifikimi i këtyre informacioneve. Në rast se ata rezultojnë të kenë gënjyer gjatë deklarimit, kjo përbën një arsye për skualifikimin e tyre nga gara.

Formulari i parë zhvilloj një pyetësor mbi aftësitë profesionale, nëpërmjet të cilit gjyqtari apo prokurori jep të dhëna për ecurinë e çështjeve që ka patur në ngarkim 3 vitet e fundit.  I dyti është formuari për deklarimin e pasurisë, që autorizon institucionet vendasve dhe vëzhguesit të verifikojnë çdo të dhënë pasurie të vetë personit dhe të familjarëve të tij, që përcaktohen me ligj. Në këtë formular është interesante harta e gjerë e familjarëve, nga kushërinjtë deri në brez të katërt, deri tek krushqia në brez të dytë.

Formulari i tretë nuk është i i detyrueshëm për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që do të duan të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, por  vetëm për kandidatët që do të aplikojnë për 21 vendet e organeve që do të bëjnë “Vetingu”-n e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pyetësori më i nxehtë dhe më i rrezikshëm për gjyqtarët, duket se është ai mbi pastërtinë e figurës dhe lidhjet me krimin. Ky formular përmban 24 pyetje të cilat në çdo rast do të tendosin kthjelltësinë e prokurorëve e gjyqtarëve përpara se të përgjigjen.

Pyetësori është ndarë në 5 kapituj: të dhënat identifikuese, të dhënat e vendbanimit, të dhënat për arsimin dhe kualifikimin, të dhënat për punësimin dhe të dhënat për sigurinë.
 
Disa nga pyetjet e sigurisë

A jeni përfshirë në veprimtari që lidhen me krimin e organizuar?

A keni dijeni se një nga anëtarët e familjes tuaj është përfshirë në veprimtari që lidhen me krimin e organizuar? 

A keni pasur  kontakte të papërshtatshme në formën e një telefonatë, telekomunikim, takime, aktiviteti, vakti  ose  raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar, që nuk është në pajtim me ushtrimin e detyrës?

A jeni në dijeni që një nga anëtarët e familjes tuaj ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar?

A keni pranuar/shkëmbyer  para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizuar?

A keni dijeni se një person i lidhur sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”?

Gjate 10 viteve te fundit, a ju është refuzuar hyrja në ndonjë shtet të BE/NATO-s?

A keni kërkuar azil politik në ndonjë shtet? 


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?