Situata e krijuar seancën e kaluar në Kuvend

PS ka paralajmëruar se nuk do ta marrë parasysh, opozita dorëzon zyrtarisht kërkesën për shkarkimin e Nikollës

31 Janar 2023, 18:46| Përditesimi: 31 Janar 2023, 18:58

  • Share

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht ne Kuvend shkresën të shoqëruar me 28 firma për nisjen e procedurës së shkarkimit të Lindita Nikollës. Sipas ligji shkresa i drejtohet Këshillit të Legjislacionit në Kuvend. Megjithatë PD nuk i ka bërë me dije zyrtarisht emrat e 28 deputetëve që kanë firmosur kërkesën.

Pas kaosit të krijuar në Kuvend ditën e enjte, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e mbylli seancën pa diskutime, vetëm kaloi në votim projektligjet, të cilat u miratuan vetëm me votat e maxhorancës. Nikolla përjashtoi Sali Berishën, por ky i fundit nuk e liroi foltoren dhe për këtë arsye mori edhe vendimin për të mbyllur seancën. Menjëherë disa deputetë të PD deklaruan se do të kërkojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e Lindita Nikollës, me argumentin se kjo e fundit i mohoi opozitës që të diskutojnë për çështjet e rendit të ditës.

Grupi parlamentar i PD e ka konsideruar veprimin e Kryetares së Kuvendit në seancën e 26 janari si një akt të paprecedent në 32 vjet demokraci, pasi sipas opozitarëve ajo “në shkelje flagrante të Rregullores i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit”.

“Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla”, njoftoi PD.

 

Faqja e parë e kërkesës së deputetëve demokratë

I vetmi reagim nga mazhoranca në lidhje me këtë çështje ka qenë një deklarata e kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili tha kjo kërkesë nuk meriton të merret në konsideratë.

“Këta mund të kërkojnë shkarkimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit, por e para është që nuk gjej argument të kërkosh shkarkimin se kryetarja e kuvendit, në kushtet që në të gjithë veprimtarinë e vet edhe në rastin e seancës së fundit ka zbatuar rregulloren e Kuvendit. Rregullorja e Kuvend përcakton qartë sesi disponon me vendimmarrja e kryetarit i kuvendit në momenti që bllokohet foltorja dhe po ashtu në kushtet që kuvendi e ka të pamundur të përmbyllë atë që është detyrimi i vet themelor, në këtë rast është miratimi i çështjeve që kanë në rendin e ditës. Dua tua bëj të qartë që as një lloj kërkese e kësaj forme nuk miratohet dhe nuk vlen të merret as në konsideratë", tha  Balla.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?