Protestë për drutë! Banorët e Pustecit s’kanë ku t’i marrin, prerjen e pemëve e ndalon agjencia e zonave të mbrojtura

16 Nëntor 2023, 17:00| Përditesimi: 16 Nëntor 2023, 17:06

  • Share

Mëngjesi i sotëm i ka gjetur në protestë banorët e bashkisë minoritare të Pustecit. Dimri është në prag dhe ata s’kanë ku të gjejnë drutë e zjarrit. Më parë i siguronte bashkia, por tashmë prerjen e druve nuk e lejon Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Në mbështetje të banorëve doli dhe kryebashkiaku Pali Kolevski.

Dy javë para fillimit zyrtarisht të dimrit banorët e Pustecit kanë dalë në protestë për lëndën drusore. Këtë vit është i pamundur sigurimi i druve të zjarrit si pasojë e kufizimeve të vendosura nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura.

 “Ka 10 vjet që ne i merrnim drutë, këtë vit asgjë. Periudha është kritike akoma nuk kemi marrë asnjë dru. Duam të shkojmë të marrim drutë me rregulla”.-tha kryeplaku i fshatit Lajthizë.

“Djali më vdiq, vajzat kanë ikur për kafshoren e bukës, jemi të sëmurë, që sot e tutje do fle në bashki”, tha një banor.

“Na i ka siguruar gjithmonë bashkia, tani na thonë që nuk do drejtoresha e zonave të mbrojtura. Nuk marr dot as një gomar dru, se të zë rojtari i pyllit. Pa dru nuk rrihet jemi vend malor”, tha një tjetër.

Protesta u mbajt përpara bashkisë minoritare, pikërisht sot kur pritej vizita e Daniel Pirushit, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Pirushi e anuloi vizitën në Pustec, ndërsa banorët u pritën nga kryebashkiaku, Pali Kolevski i cili mbështeti protestën.

“Mbështes banorët në kërkesën e druve sepse është e drejtë elementare. Ne jemi zonë malore dhe drutë janë të domosdoshme. Që në maj bashkia ka bërë listën e banorëve për kërkesat e mundshme se sa dru zjarri mund të duhen për dimër. Kemi bërë kërkesën pranë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Ne menduam se do zgjidhej si vitet e kaluara, nëpërmjet punimeve përmirësuese. Vitet e kaluara ne siguronim drutë nëpërmjet punimeve përmirësuese sepse në zonat e mbrojtura nuk lejohet prerja e druve. Ne kemi propozuar që lënda drusore të shpërndahet brenda ditës sidomos për familjet e varfëra”, tha kryebashkiaku Kolevski.

Për të furnizuar 800 familje duhen deri në 8 mijë m3 dru zjarri. Bashkia pret lejen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, që  të zbatojë marrëveshjen, pasi gjithë territori është pellgun ujëmbledhës të liqenit të Prespës, i cili ka statusin ‘Parku Kombëtar i Prespës’, zonë e mbrojtur në nivel ndërkombëtar!

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?