Protestat pro-palestineze në SHBA, studentët largohen nga kampusi i Universitetit të Kalifornisë Jugore

5 Maj, 14:56| Përditesimi: 5 Maj, 14:58

  • Share

Të dielën herët në mëngjes protestues pro-palestinezë u larguan nga një kamp i ngritur në Universitetin e Kalifornisë Jugore pas paralajmërimeve që nëse një gjë e tillë nuk ndodhte, do të arrestoheshin. Përpara këtij zhvillimi, universiteti njoftoi se oficerët e sigurisë së kampusit, të ndihmuar nga Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit, po pastronin zonën dhe se kushdo që e kundërshtonte këtë vendim, do të arrestohej.

Nëse jeni në qendër të kampusit, ju lutemi largohuni. Ata që nuk largohen mund të arrestohen", shkruhej në njoftimin e universitetit në platformën e mediave sociale X.

Në krye të disa ditëve në kampusin e këtij universiteti në Los Anxhelos pritet të mbahen ceremonitë e diplomimit.

Ndërkohë në Universitetin e Virxhinias, 25 persona u arrestuan të shtunën pasi policia u përlesh me protestuesit pro-palestinezë që refuzuan të hiqnin tendat nga kampusi. Protestat në universitetet amerikane janë nxitur nga konflikti që filloi më 7 tetor kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë rreth 1200 persona, e marrë peng rreth 250 të tjerë. Prej fillimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë mbi 34 mijë palestinezë, sipas grupit militant që kontrollon rajonin e Gazës.

Studentët protestues kërkojnë shkëputjen e lidhjeve finaciare të universiteteve amerikane me Izraelin, apo me kompanitë që bëjnë biznes me Izraelin, për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Ndonëse disa studentë hebrej u janë bashkuar protestave, të tjerë anëtarë të këtij komuniteti, thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket programi i Bashës për zgjedhjet e 2025-ës?