Rasmus Paludan

Protestat anti-turke në Stokholm, kryeministri suedez dënon djegien e Kuranit: Akt thellësisht mosrespektues

22 Janar 2023, 16:57| Përditesimi: 22 Janar 2023, 17:01

  • Share

Kryeministri i Suedisë e ka dënuar si “thellësisht mosrespektues” djegien e një Kurani në Stokholm në fundjavë, e cila ka nxitur tensione me Turqinë. Protestat u mbajtën të shtunën në Stokholm kundër qëndrimit Turqisë për të pranuar kërkesën e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, por me kushte.

Të shtunën vonë, kryeministri Ulf Kristersson shkroi në Twitter:

“Liria e shprehjes është një pjesë themelore e demokracisë. Por ajo që është e ligjshme nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme. Djegia e librave që janë të shenjtë për shumë njerëz është një akt thellësisht mosrespektues. Dua të shpreh simpatinë time për të gjithë myslimanët që janë ofenduar nga ajo që ka ndodhur sot në Stokholm”.

Politikani i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan i vuri zjarrin një kopje të librit të shenjtë mysliman të shtunën përpara ambasadës së Turqisë në kryeqytetin suedez.

E zemëruar që Paludan ishte lejuar nga policia suedeze për të kryer protestën, Ankaraja anuloi një vizitë të ministrit suedez të mbrojtjes dhe thirri ambasadorin e Stokholmit.

Demonstrata e Paludan ka dëmtuar më tej marrëdhëniet ndërsa Stokholmi përpiqet të bindë Turqinë anëtare të NATO-s që të miratojë Suedinë dhe Finlandën që t'i bashkohen aleancës ushtarake. Anëtarësimi i Suedisë është bllokuar nga kërkesat e Ankarasë që Stokholmi të dorëzojë aktivistët kurdë dhe të parandalojë mitingjet që sulmojnë udhëheqjen e Turqisë.

Shumë vende myslimane dënuan djegien e Kuranit të shtunën.

Dhjetëra protestues u mblodhën të shtunën vonë para konsullatës suedeze në Stamboll, ku dogjën një flamur suedez dhe i bënë thirrje Turqisë që të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Stokholmin. Paludan, një aktivist suedez-danez provokoi trazira në Suedi vitin e kaluar kur shkoi në një turne në vend dhe dogji publikisht kopje të Kuranit.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?