Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj

Protesta tek '5 maji', Alibeaj: PD do të kërkojë hetim për ata që urdhëruan dhe ushtruan dhunë! Policia e Shtetit bëri akte jonjerëzore! Lironi qytetarët

22 Shkurt 2022, 22:05| Përditesimi: 22 Shkurt 2022, 22:07

  • Share

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reagur këtë mbrëmje në lidhje me shembjen e 12 shtëpive tek zona e '5 majit' në Tiranë dhe përdorimin e gazit lotsjellës nga policia. Alibeaj shprehet se burgu për njerëzit që mbrojnë pronën e tyre nga grabitja e qeverisë dhe gazi lotsjellës janë akte anti-demokratike.

"Gazi lotsjellës dhe burgu për njerëzit që mbrojnë pronën e tyre nga grabitja e qeverisë janë akte antidemokratike, antikushtetuese dhe jonjerezore nga Policia e Shtetit. Banorët e lagjes “5 Maji” janë në të drejtën e tyre për të mos iu bindur një akti të qeverisë, që u shkatërron pronën pa një shkëmbim të drejtë të saj. Refuzimi i qeverisë dhe i bashkisë për të respektuar të drejtat themelore të njeriut qendron në bazë të dhunës policore të ushtruar sot ndaj këtyre banorëve."-thotë Alibeaj.

Ndër të tjera, deputeti i selisë blu thekson se PD dënon sjelljen barbare të Policisë së Shtetit dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të çdo banori të ndaluar nga autoritetet.

"Partia Demokratike dënon sjelljen barbare të Policisë së Shtetit dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të çdo banori të ndaluar. Laureta Nikolli, Gjin Nikolli, Mirash Marku Ndue Marku, Agim Marku, Bekim Cerri nuk kanë bërë asnjë krim! Ata kanë protestuar për shtëpinë e tyre, për të drejtën e fëmijëve të tyre për të patur një çati mbi kokë. Është kundër çdo norme morale dhe humane të dhunohen dhe të mbahen prapa hekurave njerëz të ndershëm, mes të cilëve zonja të nderuara, të nxjerra me dhunë nga shtëpitë dhe pa u siguruar më parë një strehë për familjet."-thekson Alibeaj.

Sakaq, ai bën me dije se Partia Demokratike do të kërkojë hetim të posaçëm për këdo që ka urdhëruar dhe ushtruar dhunë çnjerëzore sot mbi banorët e '5majit'.

"Partia Demokratike do të kërkojë hetim të posaçëm për këdo që ka urdhëruar dhe ushtruar dhunën çnjerëzore sot mbi banorët tek “5 maji”. Metodat e shtetit policor të Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë të papranueshme, prandaj zëri ynë do të bashkohet në çdo kohë me zërin e çdo qytetari që kërkon drejtësi."-thotë Alibeaj.

Me tensione dhe përplasje mes policisë është shoqëruar protesta e banorëve të ‘5 Majit’ ditën e sotme, ku u shembën 12 shtëpi, duke e çuar në afro 120 objekte të rrëzuara deri tani për rindërtimin dhe rikualifikimit urban. Policia u kundërpërgjigj duke hedhur gazlotsjellës që t’i shpërndajë, ndërsa shoqëroi me forcë banorët protestues Bekim Cerrin, Loreta Nikollin dhe Mirash Markun.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?