Propozimi për rritjen e taksës së karbonit për qymyrin, Komisioni i Ekonomisë kërkon të shtyhet: Nuk sjell ulje të ndotjes, rrit kostot për bizneset

22 Nëntor 2023, 11:48| Përditesimi: 22 Nëntor 2023, 12:14

  • Share

Komisioni i Ekonomisë propozon shtyrjen e afatit për miratimin e rritjes së taksës së karbonit për qymyrin.

Projektligji për ndryshimin e ligjit për “Taksat Kombëtare”, parashikon që të rritet sipas një kalendari taksa e karbonit për qymyrin nga 3 lekë/kg qymyr që është sot, të shkojë në të paktën 15.3 lekë/kg qymyr në vitin 2030.

Synimi i këtij projektligji është ulja e ndotjes nga emetimi i karbonit, por për komisionin e Ekonomisë, rritja e taksës vetëm dëmton këto industri dhe nuk sjell ndonjë efekt të prekshëm në reduktimin e ndotjes.

"Është e paqartë se çfarë impakti do të sjellë në buxhetin e shtetit, dhe pse është aplikuar vetëm për qymyrin. Ky projektligj penalizon disa ndërmarrje. Vlera e të ardhurave është e papërfillshme pasi do ulet konkurrueshmëria, si dhe nuk mund të realizohet pasi do ulet aktiviteti i ndërmarrjeve. Ky projektligj duhet të kalojë edhe një herë për rishikim, dhe pasi të qartësohet mund ta miratojmë", tha deputteja e PS, Eni Zake.

"Kjo taksë përveç se i bën produktet shqiptare më pak të konkurrueshëm. Ne duhet tu japin mundësi këtyre fabrikave që të përdorur lëndë të tjera që ndotin më pak. Kjo masë e tillë nuk i shërben dhe nuk luan rolin që ne duam për të ulur emetimin e karbonit", u shpreh Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Sipas projektligjit nga kjo taksë preken industria e çimentos, ajo e çelikut, si dhe industria e prodhimit të ferro-kromit, të cilat janë edhe kompani të rëndësishme eksportuese në vendin tonë dhe kostoja e produkteve të tyre ndikohet për shkak të rritjes së nivelit të taksës së karbonit. Tri janë kompanitë kryesore importuese në Shqipëri të produktit qymyr, të cilat zënë 99.9% të totalit të importit  (rreth 100 mijë tonë në vit).

Faza fillestare e tij do të fillojë në fillim të vitit 2024 dhe do të hyjë plotësisht në fuqi më 1 janar 2026. Në fazën fillestare do të bëhet edukimi i tatimpaguesve lidhur me këtë mekanizëm e më pas implementimi i mekanizmit në vitin 2026. Në 30 nëntor miratohet në parim buxheti dhe paketa fiskale në komisionin e ekonomisë, dhe në datë 7 dhjetor do të kalojë në Kuvend.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?