Pronat e tyre preken nga aksi Thumanë-Kashar, banorët e Bërxullës sërish në protestë: Kërkojmë vlerësimin e tyre me çmim tregu, shteti të mos na zvarrisë

12 Mars 2023, 11:10| Përditesimi: 12 Mars 2023, 15:14

  • Share

Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme për shkak se nuk janë dakord me zhvlerësimin që u bëhet pronave të tyre të cilat preken nga ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar. Prej rreth 5 muajsh, banorët  çdo javë protestojnë duke kërkuar që të vihen në dijeni të projektit, dhe që tokat dhe banesat e tyre të vlerësohen me çmim tregu nga firma ndërtuese që ka marrë përsipër projektin.

Banorët u shprehën se së fundmi firma ndërtuese u kishte ofruar negociata, duke u bërë me dije se do të kishte edhe rrugë dytësore për projektin dhe se nuk do të izoloheshin nga ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar. Por ajo çfarë banorët, kërkojnë kryesisht është vlerësimi i tokave dhe banesave të tyre me çmim tregu.

“Në dy pika na është ofruar zgjidhje nga firma e ndërtimit por akoma nuk është ofruar zgjidhje për vlerën e pronës. Këtu preken rreth 30 hektarë dhe nuk janë pak sepse me këto toka shkollojmë fëmijët. I kërkojmë shtetit që sa më parë dhe të mos na zvarrisë sepse i thonë që 165 ditë që flemë më ankth dhe stres. Nuk po flejmë dot dhe më pas duhet të nisim ndonjë akt ekstremi. Vlera e truallit, tek ne për metër katrorë është gati dyfishi i zonave të tjera. I bie që këtu vlera e tokës nuk është e barabartë me zonat e tjera. Këtu ose është zonë industriale dhe nuk e tregojnë ose ka gjëra të tjera të fshehura”-u shpreh njëri prej banorëve.

Pjesë e protestës ishte edhe deputetja demokrate Andia Ulliri, e cila tha se problematikën e këtyre banorëve e ka ngritur edhe në Kuvend.

“Kam folur disa herë në Parlament, sepse është një çështje që prek të gjithë banorët e Krujës, është një kauzë e përbashkët. Një nga problemet është mungesa e transparencës për projektin dhe si do të zbatohet ajo”, ka deklaruar ajo.

Ndryshe nga herët e tjera, banorët nuk bllokuan rrugën e Rinasit, por theksuan se nuk do të hiqnin dorë nga protestat e tyre derisa të siguroheshin mbi të gjitha pikëpyetjet që kanë.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?