Pronat e Kishës, Shqipëria i përgjigjet
Greqisë: Mos ndërhyni në punët tona

17 Qershor 2016, 17:09| Përditesimi:

  • Share
Interesimi i Greqisë në Parlament lidhur me pronat e minoritetit grek në Shqipëri ka sjellë reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila i ka cilësuar të habitshme ndërhyrjet në punët e brendshme, ndërsa i kujton shtetit helen se "Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, përveç se frut i mundimeve të panumërta të besimtarëve shqiptarë në breza, është kanonikisht rezultat i qenësisë së një shteti të pavarur dhe sovran shqiptar, në bazë të parimit të kahershëm “Kishë e lirë në Shtet të lirë”.
 
"Vëmë re sërish me habi se si problemet juridike pronësore në Shqipëri kthehen në pretekst për të përligjur ndërhyrje në çështje krejt të brendshme të Shtetit shqiptar.
  
Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare e njohur botërisht, të ri konfirmuar në përkatësinë e saj shqiptare nga Shenjtëria e Tij Patriarku Bartolome I-rë, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Fanar, e shohim të shpaloset sot lirshëm karshi kishave simotra në Koncilin Panortodoks të Kretës.
 
Për pasojë, sa herë që Shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e Shtetit shqiptar, ndërhyn në punët e brendshme të Shtetit shqiptar" thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ.
 
Përsa i përket çështjes së pronave të Kishës autoqefale diplomacia shqiptare thekson se "Cështjet juridike pronësore ende të pazgjidhura të Kishës autoqefale shqiptare janë në trajtim të vazhdueshëm dhe do të shqyrtohen në bazë të ligjit dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri, është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie".
 
Në fund reagimin Ministria e Jashtme e mbyll me kujtesën ndaj Greqisë se "Republika e Shqipërisë ka një angazhim të përhershëm për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, pjesë përbërëse e të cilave janë dhe të drejtat e pakicave. Vendi ynë është palë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve, e cila përbën dokumentin më të plotë ligjor në planin ndërkombëtar për garantimin e të gjitha të drejtave  të minoriteteve.
 
Gjithsesi, Shqipëria mbetet e hapur për t’iu referuar çdo praktike pozitive në funksion të përmirësimit më tej të standardeve në këtë fushë".
 
Interpelanca e ministrit të jashtëm  Nikos Kocias në parlamentin Helen për pronat e minoritetit grek  në vendin tonë duket se ka shënuar përplasjen e rradhës me diplomacinë shqiptare.

Kocias u shpreh se interes të veçantë shteti fqinj ka tek pronat e kishës ortodokes.   

“Ministria e Punëve të Jashtme ka monitoruar rregullisht zhvillimet që lidhen me procesin e kthimit të pronës që ishte shpronësuar nga regjimi i Hoxhës në Shqipëri. Sigurisht që është e kuptueshme se interesi ynë është fokusuar veçanërisht në diasporën tonë dhe të drejtat e pronës së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë
Por ministria jone e jashtme ka kritikuar këto deklarata nëpërmjet zëdhënësit Gelvin Dervishi duke I cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit shqiptar.

 “Sa herë që shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e shtetit shqiptar, ai ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie”

Në interpelancë Kocias , ashtu si dhe Vangjel Dule në parlamentin shqiptar ka shprehur shqetësimin dhe për zbatimin e ligjit që u garanton të drejtën e votës emigrantëve shqiptarë, duke u regjistruar adresat kudo që ndodhen jashtë vendit. Ligji sipas Kocias ka ndikim te drejtpërdrejtë tek minoriteti grek. Athina i druhet humbjes së kontrollit të disa zonave në jug të vendit, të cilat prej vitesh kanë qenë bastione të PBDNJ-së
 
 
Redaksia online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?