Nasim Haradinaj

Prokuroria Speciale refuzon kërkesën e Nasim Haradinajt për vizitë mjekësore: Mund të kryejë kontroll vetëm në Kosovë, jo në shtet tjetër

18 Nëntor 2022, 11:04| Përditesimi: 18 Nëntor 2022, 11:08

  • Share

Prokuroria Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën e Nasim Haradinajt për kryerjen e një vizite për arsye shëndetësore në një shtet tjetër që nuk është Kosova.

Bazuar në njoftimin e prokurorisë Speciale, mbrojtja e Haradinajt nuk ka paraqitur informacione që vërtetojnë gjendjen shëndetësore të tij. Po ashtu në njoftim shtohet se pavarësisht afatit prej 24 orësh për konfirmimin e prognozës, ende asnjë mjek nuk ka dorëzuar informacione mbi gjendjen e rënduar të pretenduar nga mbrojtja e Haradinajt.

“Urgjenca e pretenduar nuk mund të shërbejë si justifikim për lehtësimin e kërkuar, dhe pavarësisht premtimit se një mjek do të konfirmonte prognozën brenda 24 orëve prej momentit të Kërkesës, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar asnjë informacion mbështetës për më shumë se një javë nga paraqitja”-thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Më tej në argumentat e dhënë kundër kërkesës së Haradinajt, thuhet se atij do t’i lejohej udhëtimi për kontroll vetëm drejt Kosovës dhe jo drejt një shteti tjetër.

Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

 

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?