Prokurori Emror Kasaj 'harron' pasuritë, drejt shkarkimit nga KPK! ILDKPI: S’justifikon burimet

17 Mars 2022, 19:00| Përditesimi: 17 Mars 2022, 19:34

  • Share

TIRANË- Fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe pasuri të pajustifikuara është ajo që ka konstatuar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për prokurorin e Gjirokastrës Emror Kasaj. Sipas KPK, Kasaj ka deklaruar sipërfaqe toke arë në Përmet, por jo një banesë me sipërfaqe 102 metra katrorë dhe as burimet. 

Po ashtu, ai ka deklaruar një arë me sipërfaqe 1 mijë metra katror në Yzberisht me vlerë 2,5 milionë lekë, ku zotëron 50% të saj. Sipas verifikimeve, për pasurinë tokë arë ka bërë deklarim të rremë dhe nuk ka patur të ardhura të ligjshme për blerjen e tokës me një ndërtesë tre katëshe në të. 

Para Komisionit të pavarur të kualifikimit, ai pretendoi se burimi i pasurisë, është puna e tij dhe e bashkëshortes ndër vite.

Po ashtu, prokurori i Gjirokastrës nuk ka deklaruar vlerën e investimit për një pronë të dhuruar nga babai kur ishte student. Nga deklarimet vihet re diferencë e theksuar të vlerës së deklaruar në 2003 në raport me deklarimet e mëvonshme. 
Sipas komisionit të vetingut, Prokurori Emror Kasaj rezulton se nuk ka të ardhura për të justifikuar pronat dhe mjetet e blera, si dhe ka dhënë disa hua.
Sa i përket tokës në Yzberisht, Kasaj ka bërë deklarim të rremë pasi ka përdorur emrin e vjehrrës për të fshehur të ardhurat e paligjshme. 

Kasaj është një emër i lakuar në drejtësi për vendimmarrje të diskutueshme. Në korrik të vitit 2019, prokurori i Gjirokastrës Emror Kasaj liroi nga qelia Erigers Mihasin, i cili u ekzekutua bashkë me shokun e tij Armando Dumani, në 13 nëntor 2021, në zonën e Astirit në Tiranë. Në tetor të vitit 2021, Prokurori Emror Kasaj arrestoi dhe më pas mbylli në një konvikt një kryefamiljar italian në Gjirokastër, pasi sipas tij kishte marrë një rulo me qera dhe kërkonte që ta shiste në Shqipëri. Katër fëmijë të mitur dhe bashkëshortja e italianit qëndruan më shumë se sa një muaj në rrugët e Gjirokastrës. Gjykata e Apelit e gjeti të pabazë arrestimin dhe i hoqi masën e arrestit shtëpiak italianit.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?