Projektet gjermane, Hofffman
"Duam një Shqipëri të fortë"

4 Tetor 2014, 15:51| Përditesimi:

  • Share
“Gjermania dëshiron një Shqipëri të fortë dhe për këtë arsye ofron mbështetjen e saj për vendin me projekte zhvillimi, që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe në arritjen e standardeve evropiane”.

Kështu ka deklaruar ambasadori gjerman në Tiranë Helmuth Hoffman. Në një intervistë për DW, ai thotë se kancelarja gjermane Angela Merkel, në konferencën për Ballkanin Perëndimor, dërgoi sinjalin që Gjermania dhe vende të tjera të BE janë shumë të angazhuara për të kontribuar në stabilizimin e situatës në vendet e Ballkanit, e cila ka ecur shumë pozitivisht këto vite.

“Çështja është të konsolidohet ky progress,” thekson ambasadori gjerman në Tiranë. “Çdo vit qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Shqipërisë takohen, diskutojnë dhe bien dakord për projektet që dëshirojnë të realizojnë së bashku por nuk i ndryshojmë prioritetet, ”kuajt” çdo vit. Prioritete mbeten sektori i ujësjellës kanalizimeve, energjia, ndërtimi i linjave të konjeksionit mes Shqipërisë dhe vendeve fqinjë – ka përfunduar ajo me Malin e Zi dhe ka filluar me Kosovën-, po ndërtohet linja unazore e Jugut me 110kV, një nga projektet më të mëdha në historinë e deritanishme të bashkëpunimit Gjermani- Shqipëri. Këtë vit kemi filluar projekte në bujqësi, me një skemë kredish për fermat e vogla dhe të mesme, kemi projekte lidhur me arsimin profesional, por edhe në fusha të tjera si mbrojtja e biodiversitetit. Këtë vit kemi filluar projektin e menaxhimit të bregdetit të Dhërmiut” thotë ambasadori Hoffmann gjatë.

Rehabilitimi tërësor i rrjetit të furnizimit me energji elektrike në zonën bregdetare të Jugut është një tjetër projekt madhor i bashkëpunimit për zhvillim Gjermani - Shqipëri. Me një financim prej 49 milion eurosh nga KfË po shtrihet Linja Unazore e Jugut prej 110kV, linjë e cila përfundon vitin e ardhshëm. Banorëve e Jugut do t'u përmirësohen kushtet e jetesës dhe do të krijohen mundësi të reja për zhvillimin e Turizmit në Rivierën e Shqipërisë.

Që nga viti 1988 Gjermania ka financuar me rreth 270 milion Euro sektorin e energjisë në Shqipëri. Në ngritjen e infrastrukturës së duhur për zhvillimin e turizmit bën pjesë edhe projekti që do të fillojë këtë nëntor në Sarandën turistike për furnizimin me ujë të vazhdueshëm për 47 mijë banorët e saj dhe 330 mijë turistë që e vizitojnë çdo vit. Gjermania është donatori më i madh bilateral për Shqipërinë në fushën e ujit me një portofol prej 317,5 milion euro.


Marrë nga DW
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?