Projekt-buxheti 2024 për Shëndetësinë, PD: I hartuar për oligarkët, jo për qytetarët! Janë hequr nga lista 500 familje në nevojë ekstreme

14 Nëntor 2023, 12:28| Përditesimi: 14 Nëntor 2023, 16:43

  • Share

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji, gjatë mbledhjes së sotme ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2024, është shprehur se është hartuar për oligarkët e shëndetësisë, jo për qytetarët. Sipas deputetes demokrate, buxheti po i varfëron shqiptarët.

'Buxheti është instrumenti kryesor me të cilin një qeveri adreson problematikat e vendit dhe nevojat e jetës së qytetarëve. qeveria nuk shton asnjë qindarkë për mijëra familje në ndihmë ekonomike, ka hequr nga lista 500 familje në nevojë ekstreme.

Shëndetësia do të vazhdojë të mbetet përsëri një sektor i nënfinancuar edhe për vitin 2024:  2.8% të GDP-së do të jetë financimi i Qeverisë Rama për shëndetsinë. Edhe pas 10 viteve të qeverisjes socialiste, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi i fundit në rajon përsa i përket financimit të sektorit të shëndetsisë'.- tha deputetja.

Deklarata e plotë e Zheni Gjergjit:

Buxheti është instrumenti kryesor me të cilin një qeveri adreson problematikat e vendit dhe nevojat e jetës së qytetarëve.

Teksa çmimet janë rritur dhe jetesa është shtrënguar dhe në vitin që vjen do të ketë edhe më shumë vështirësi, qeveria nuk shton asnjë qindarkë për mijëra familje në ndihmë ekonomike.

Madje, ka hequr nga lista 500 familje në nevojë ekstreme.

Por, qeveria është kujdesur të mos i mungojë asgjë bosëve të biznesit me shendetësinë, me të cilët ndajnë paratë.

Teksa numri i grave që duhen trajtuar për shkak të shtimit të rasteve me kancer të gjirit, qeveria nuk ka parashikuar asnjë qindarkë për më shumë shërbime, kujdes, apo kapacitete mbështetëse.

 Por, qeveria është kujdesur që skemave korruptive me koncesionet në shëndetësi, që janë nën akuzë e nën hetim, të mos u mungojë asgjë.

Sepse, me ata ndajnë paratë e përfitimet.

Shumë pacientë, e familjarët e tyre do vijojnë të presin me javë e muaj për një medikament që mungon tek onkologjiku.

Por, qeveria është kujdesur që pagesa për Vilma Nushin e koncesionit të check – up të bëhet pa vonesë, duke marrë para edhe për analiza të pakryera, kjo e vërtetuar edhe nga auditi i KLSh.

Këto afera janë arsyeja pse qeveria nuk do transparencë, e nuk lejon komisionet parlamentare hetimore në shëndetësi, një e drejtë kushtetuese dhe natyrale e opozitës.

Në mënyrë lakonike, PB 2024 mund të quhet buxheti i koncesioneve, dhe jo i shëndetësisë apo mbështetjes sociale.

Shqyrtimi i PB 2024 për Shëndetësinë, Mbrotjen Sociale dhe Punën vjen në një situatë amullie të plotë nga ana e Ministrive përkatëse të linjës, duke reflektuar mungesë transparence për zëra dhe nënzërave të programeve të ndryshme, duke reflektuar një qasje tërësisht arrogante të kësaj mazhorance.

Në këtë kontekst do doja të ndaja me ju, vlerësimin dhe shqetësimin e Partisë Demokratike dhe timin personal përsa i përket PB 2024 për Shëndetsinë, Mbrojtjen Sociale dhe Punën.

Po ndalem më poshtë me një trajtim të detajuar, sipas zërave e sektorëve:

Shëndetësia do të vazhdojë të mbetet përsëri një sektor i nënfinancuar edhe për vitin 2024: 

2.8% të GDP-së do të jetë financimi i Qeverisë RAMA për shëndetsinë, shumë larg premtimeve të Rilindjes në 2013 për financim 5% të GDP-së.

Edhe pas 10 viteve të qeverisjes socialiste, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi i fundit në rajon përsa i përket financimit të sektorit të shëndetsisë.

Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2023, PB 2024 i Shëndetësisë është 0.17% më pak në raport me PBB dhe krahasuar me buxhetin e rishikuar sëfundmi të 2023 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, PB 2024 është zvogëluar me 0.06 pikë përqindje në raport me peshën që zë në PBB .

Pra, dukshëm Qeveria RAMA, edhe për vitin që vjen nuk e ka prioritet shëndetësinë e mbrojtjen sociale, pasi ka ulur ndjeshëm financimet për shërbimet shëndetsore, investimetn dhe mbrojtje e shtresave në nevojë dhe nuk adreson cështjet kryesore të këtij sektori.

Në projekt-buxhetin e propozuar për vitin 2024 Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i akordohet një buxhet me vlerën 78,24 miliardë lekë ose 3.21% e PBB ku përfshihen 6 programe:

Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi

Shërbimet e Kujdesit Parësor

Shërbimet e Kujdesit Dytësor

Shërbimet e Shëndetit Publik

Përkujdesi Social

Rehabilitimi i të Përndjekurve Politik

 Shëndetësia më vete duke përfshirë, Shërbime Administrate dhe Planifikimi, Shërbim Primar, Shërbimi Sekondar dhe Shëndeti Publik, për vitin 2024 propozohet të kenë një financim prej 47.27 miliardë lekë ose 1.94% të PBB.

Ndërkaq Mbrojtja Sociale (përfshirë dhe rehabilitimin për të përndjekurit politik) do të ketë një financim prej 31 miliardë lekë ose 1.27% të PBB.

➢ Së pari, ky projektbuxhet për vitin 2024 na u soll në Komisione pa transparencë pasi për shumë programe buxhetore nuk u përcaktua se sa ishte mbështetja financiare.

Planifikim-Menaxhim dhe Adminstrim– mungesë transparence mbi shpenzimet korrente të rritura për shpenzime që kanë të bëjnë me blerje mallrash apo shërbimesh utilitare nga të tretë, etj.

Shërbimi i Kujdesit Shëndetësor Dytësor– Asgjë e re edhe pse kemi miratuar ligjin e ri “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”

Fondi për kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës, nuk ka të dhëna të plota e transparente mbi financimin e këtyre dy programeve, kur fatkeqësisht kemi një numër të rritur të grave që preken nga këto dy patologji.

Përkujdesi Social”: i) pagesat për Ndihmën Ekonomike, ii) pagesat për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe personat e tyre shoqërues, iii) Qendrat Rezidenciale, iv) për të Moshuarit, v) për Jetimët, vi) Punësimi i personave të pafovrizuar, vii) Bonusi i Bebeve, viii) Programi i Strehimit, ix) Bonusi i Qerasë, etj. do të mbeten sërish në të njëjtat vlera mbështetje edhe pëer 2024

4. Puna – plotësisht e patrajtuar në PB 2024 të MSHMS pa transparencë mbi pagesat e trajtimit të kategorive si: i)Minatorët, ii) Pensionet Suplementare, iii) Pensionet e Metalurgëve, iv) Naftëtarëve, etj., v) Fondi i kompensimit për energjinë dhe bukën për pensionistët, vi) Kompensim shtesë për invalidët e punës, vii) Kompensim të ardhura pensionistëve.

 ➢ Së dyti, mungesë e një Qasje Gjinore për Buxhetin në të gjitha dikasteret e Qeverisë, për programe të dedikuara mbi barazinë gjinore.

Dua tiu kujtojmë që qeveria vitin e shkuar mori një kredi për barazinë gjinore me vlerë 50 milion euro, dhe nga ku vetëm 2-3% e saj do të shkonte vetëm për vetë qëllimin e saj – e pohuar kjo offrecord nga Ministria e Ekonomisë– ndërsa pjesa mbi 97% do të shkonte në mbështejte direkte buxhetore, sikundër pjesa dërmmuese e kredive që merr kjo maxhorancë.

Kjo dëshmon dhe njëherë se jemi shumë larg mbështetjes gjinore pavarësisht se KM Rama pretendon se ka kuotat më të larta të përfaqësimit gjinor në qeveri, ai nuk është i aftë të ndërmarrë seriozisht një buxhetim me programe reale për cdo dikaster në kuadër të barazisë gjinore.

➢ Së treti, përtej propagandës së Ministrisë se gjoja buxheti ka arritur të ketë 4% të PBB, duke shtuar vlerën e fondit të sigurimeve shoqërore, në fakt këtë vit sikundër e thamë jemi në të njëjtat vlera me një vit më parë.

Ky buxhet dukshëm nuk është i mjaftueshëm për qytetarët, pacientët, shërbimet bazë dhe të specializuara, rimbursimin e barnave dhe investimeve në sektorin e shëndetësisë.

Por, ky buxhet është më së i mjaftueshëm për PPP-të e koncesionet korruptive që sërisht këtë vit do të përfitojnë 50 milion euro, gati dy herë më shumë se vetë totali i investimeve në Shëndetësi e Mbrotjes Sociale të marra sëbashku.

➢ Së katërti, qeveria nuk parashikon rritje reale pensionesh, maximumi që parashikohet është respektimi i detyrimit ligjor për indeksimin e pensioneve.

Vetëm 38 milionë euro janë parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm për rritjen e pensioneve.

Në rast se qeveria do të ndërmerrte rritjen e pensioneve që prej datës 1 janar 2024, me këtë fond që është planifikuar, pensionet do të rriteshin me rreth 2.4% (vlerë kjo edhe më e ulet sesa rritja e cmimeve të produkteve bazë ushqimorë).

Por, dukshëm qeveria do ta bëjë rritjen e pensioneve në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm pasi afron dhe me periudhën zgjedhore, në mënyrë që kjo rritje të duket disa fish më e lartë.

Ky është mashtrim i hapur ndaj qytetarëve.

➢ Së pesti dëmshpërblimi financiar për ish të përndjekurit politikë dhe trashëgimtarët e tyre: – vazhdojnë të alokohen vlera minimale financimi. 

Për vitin 2024 do të alokohen 11 mln euro, vlerë shumë e ngjashme  me financimin e vitit aktual 2023.

Me këto ritme, parashikohet se do të duhen 3 dekada për të ezauruar faturën financiare ndaj kësaj shtrese të përvuajtur.

➢ Së gjashti, – Ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar:

Në PB e 2024 nuk parashikohen rritje të masave financiare përfituese nga individët/familjet përfituese të këtyre skemave ( pra vlerat e përfitimit mujor nuk parashikohen të rriten), ndërkohë që dhe përcaktimi i minimumit jetik zvarritet të përllogaritet.

Qeveria shkurton me 500 numrin e familjeve përfituese pa një analizë reale, por me premtimin se do ti integrojë në tregun e punës.

Ndërkohë, ndër vite janë me dhjetra e qindra familje janë larguar nga skema e NE në mënyrë të padrejtë dhe abuzive, pasi paratë që duhet të shkojnë për të ndihmuar këto familje do të shkojnë për PPP-të korruptive dhe rritje të blerjeve për mobilime të zyrave dhe luksin qeveritar.

Qeveria Rama nuk ka një program real për aftësimin, punësimin dhe integrimin socio-ekonomik të këtyre familjeve dhe individëve edhe në 2024.

➢ Së shtati, fondi për përfituesit e skemës së aftësisë së kufizuar për 161 mijë përfitues ngelet i pandryshuar.

Po ashtu nuk parashikohet të ketë ndonjë financim apo paketë sociale shtesë për këtë kategori sociale që aktualisht jeton në kushte të disfavorshme, në kufirin e mbijetesës.

➢ Së teti, qeveria nuk sjell transparencë në lidhje me fondin e Programit të Garancisë për personat PAK, i cili do të nis të mbledhë të ardhura nga ndryshimet që iu bënë ligjit nr.18/2019 për nxitjen e punësimit, ku sanksionohen sipërmarrjet private, institucionet publike dhe shoqëritë publike të paguajnë në formë kompensimi për cdo punonjës, sipas përcaktimeve ligjore të barazvlefshëm sa rroga mujore minimale cdo muaj për aq kohë sa nuk punësojnë personat PAK.

Ministria përllogariti se rreth 8300 persona PAK duhet të punësohen sipas parashikimeve ligjore, dhe nga ku do të akumulohet një fond që mund të shkojë disa dhjetra milion euro në vit.

Ky parashikim fondi që mund të gjenerohet nga nisja e zbatimit të ndryshimeve të ligjit të sipërpërmendur nuk është përfshirë si e ardhur në PBB 2024.

➢ Së nënti – qeveria në total do të mbështesë me një fond prej 134 milion euro PPP dhe Koncesionet në shëndetësi.

Qeveria do të vijojë të financojë koncesionin e sterilizimit pavarësisht se për këtë të fundit SPAK ka cuar nën hetim disa ish zyrtarë deri tek ish-zv.ministri i shëndetësisë së Ilir Beqajt.

4 koncesionet në shëndetësi (check-up, sterilizimi, dializa dhe laboratorët) do të marrin mbi 50 milionë euro financim buxhetor gjatë 2024 ose 2/5 e të gjithë fondit për PPP-të.

Së dhjeti – fondi për mbështetjen e punësimit të të rinjve për vitin 2024 është vetëm 200 milion lekë nëpërmjet Garancisë Rinore, e cila që prej vitit 2019, punëson disa qindra të rinj në vit me kontrata të pjesshme punësimi.

Po ashtu skema e Programit Kombëtar të Punës ka rezultuar të jetë e pasuksesshme pasi në rradhë të parë aplikimet janë më pak se numri i vendeve vakante, si dhe kontratat e punësimit për një vit në sektorin privat mbulojnë vetëm 12%.

Thënë më thjeshtë, nga 157 të punësuar me kontratë 1 vjecare për vitin 2022, vetëm 18 prej tyre janë punësuar në ndërmarrje private.

Nga ana tjetër në një dekadë numri i të rinjve të regjistruar në shkollat e mesme profesionale është thuajse përgjysmuar nga 27.500 në 2013 në 14.500 për 2023/2024.

Nga buxhetimi ndërsektorial për arsimin profesional prej 3.53 miliardë lekë, fond ky thuajse i njëjtë me buxhetin e rishikuar të 2023, me një rritje 10% që do të shkojë pothuajse vetëm për rritje pagash dhe sigurimet shoqërore.

Vetëm ¼ e këtij buxheti ose rreth 8.5 milion euro, do të shkojë për investime të shkollave profesionale, ku kryesisht janë rikonstruksione të pjesshme të fasadave apo mobilim, pa sjellë një vlerë të shtuar për të rritur cilësinë e mësimdhënies e aftësimin profesional me metodikat të përshtatshme sipas kërkesave të tregut të brendshëm të punës.

Dukshëm kjo politikbërje ndaj rinisë për ti mundësuar oportunitete aftësimi dhe profesionalizmi është jo vetëm e dështuar por edhe ato pak fonde që i akordohen sektorit në shumicën dërrmuese shkojnë jo për investime apo zëra buxhetor që rrisin cilësinë e këtij formimi profesional.

Së fundmi më lejoni të ritheksoj edhe një herë se PB 2024 do të vazhdojë të jetë buxheti i oligarkëve në shëndetësi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?