Projektbuxheti i vitit 2021 është tejet ambicioz për investime dhe për rindërtimin, por nuk është përgatitur për një karantinë të dytë. Shpenzimet janë të parat që do të rishikohen për të përballuar çdo emergjencë .
Nga ana tjetër jo vetëm një karantinë e dytë që do të ishte fatale, por edhe një një pandemi e gjatë janë rreziku më i madh që i kanoset buxhetit i konsideruar i rimëkëmbjes nga qeveria. Në relacionin shoqërues të projektbuxhetit thuhet se vetëm nga zgjatja e pandemisë të ardhurat e parashikuara të buxhetit do të binin me – 8 deri në 11 miliardë lekë.
Një tjetër rrezik që do të cenonte të ardhurat e parashikuara është edhe shtyrja e rritjes së pagës minimale nga 1 janari i vitit që vjen si pasojë e pandemisë.
“Mosmiratimi me efekt nga 1 janari i rritjes së pagës minimale dhe shtyrja e saj. Rreziku 1 miliard lekë nëse shtyhet tre muaj dhe 2 miliardë lekë nëse shtyhet 6 muaj”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit.
Për vitin e ardhshëm qeveria ka vendosur një fond prej 40 milionë dollarësh si fond rezervë për situata emergjente, si dhe 60 milionë dollar për kapërcimin e pasojave të pandemisë, përfshirë edhe blerjen e vaksinës.
Por nga ana tjetër teksa vendi po bëhet gati për një garanci sovrane të tretë të përqendruar tek bizneset eksportuese, Banka e Shqipërisë kërkon të mos shtohet më tej barra me rreziqe për bankat e nivelit të dytë. Ndërkohë Ministria e Financave ka njoftuar shtyrje të afatit për kredinë e dytë sovrane deri në vitin 2021, pasi sipas saj biznesi ka interes për përdorimin e saj për investime.