Banka e Shqipërisë

Projeksionet/ 'Frenimi' i Bankës së Shqipërisë i përkohshëm, norma bazë pritet të arrijë në 4.25% në fund të vitit 2023

28 Dhjetor 2022, 07:48| Përditesimi: 28 Dhjetor 2022, 07:54

  • Share

Rritja e normës bazë të interesit pritet të vazhdojë dhe të arrijë në 4.25% deri në fund të vitit 2023. Sipas analizës së fundit të Raiffeisen Research për tendencat e inflacionit dhe politikës monetare, stopimi i rritjes së normës bazë në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nuk ka shumë gjasa të vijojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Vlerësohet se Banka e Shqipërisë do të vijojë rritjen e normës bazë të interesit me disa lëvizje radhazi gjatë vitit të ardhshëm, për të arritur pranë një niveli ekuilibër të vlerësuar rreth 4.25% në fund të vitit kalendarik 2023. Kjo do të thotë se norma bazë e interesit pritet të rritet me 1.5 pikë përqindje nga niveli prej 2.75% ku qëndron aktualisht.

Raiffeisen Research ende vlerëson se inflacioni i lartë bazë (8.3% për nëntorin), rritja e ndjeshme e pagave me 9.2% dhe rritja e shpenzimeve para zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm do ta detyrojnë bankën qendrore të rifillojë si shpejti ciklin e saj shtrëngues. Bazuar mbi këta indikatorë, vlerësohet se presionet e rritura inflacioniste nga ana e kërkesës nuk mund të justifikojnë një qëndrim të mëtejshëm akomodues të politikës monetare.

Megjithëse inflacioni në Shqipëri është më i ulët krahasuar me Eurozonën dhe me shumicën e ekonomive në Europë, nivelet e inflacionit bazë japin një tablo krejt tjetër. Për nëntorin ky tregues në Shqipëri ishte 8.3%, ndërsa në Eurozonë ishte në nivelin 5%.

Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve në ekonomi, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Ky tregues tenton ta zhveshë inflacionin total nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër, ndaj ka një ndikim të rëndësishëm në vendimmarrjen e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Një faktor tjetër veçanërisht shqetësues, që nënvizohet edhe nga Raiffeisen Research, është rritja e lartë e pagave, që mund të shtojë rreziqet inflacioniste nga ana e kërkesës. Treguesit e papunësisë në Shqipëri ndodhen në nivelet minimale historike, ndërsa shumë biznese po përballen me vështirësi në rritje për të siguruar forcën e nevojshme të punës, edhe për shkak të emigracionit të lartë të të rinjve. Zhvillimet demografike po krijojnë trysni shtesë për rritjen e pagave, çka rrezikon të rrisë edhe më shumë rrezikun inflacionist në ekonomi.

Në fakt, në komunikimet e veta Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë se rritja e mëtejshme e normave të interesit është e domosdoshme për të luftuar inflacionin e lartë. Vendimi për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë në mbledhjen e muajit dhjetor ishte i papritur për shumicën e analistëve.

Besohet se një ndikim në këtë vendim ka pasur edhe qëllimi për të qetësuar disi tregun financiar, që kishte shfaqur pasiguri të lartë sidomos në gjysmën e dytë të këtij viti, pasiguri që u reflektua në një rritje shumë të shpejtë të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë. Duke qenë se këto instrumente përdoren edhe si tregues reference (benchmark) për lekun, rritja e yield-eve u përcoll edhe në normat e interesit të kredive me interesa të ndryshueshëm në lekë./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?