Arben Ahmetaj dhe Lulzim Basha

Programi ekonomik i PD/ Arben Ahmetaj analizon premtimet e Bashës: Taksë e sheshtë varfëruese, skema e kontributeve për t'i lënë shqiptarët pa pensione

29 Janar 2021, 10:10| Përditesimi: 29 Janar 2021, 13:02

  • Share

Për ministrin e Shtetit të Rindërtimit, ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj programi i Partisë Demokratike është një 'program futja kot'. Teksa 'skanon' premtimet kryesore të demokratëve Ahmetaj thotë se taksa e sheshtë është varfëruese ndërkohë që premtimin për uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore nga 24,5% në 18% ai thotë se është një gënjeshtër e madhe dhe nëse realizohej do “t’i lente shqiptarët pa pensione".

Ditën e djeshme PD prezantoi programin ekonomik me të cilin do u drejtohen shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit. Qëllimi, tha kryedemokrati Lulzim Basha në prezantimin e tij, është rimëkëmbja e ekonomisë. Disa nga pikat kryesore të këtij programit, për të cilin Basha tha se janë dashur 2 vite për ta hartuar, është hapja e 110 mijë vendeve të punës, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 36 mijë lekë, (edhe pse më herët kishte premtuar se do e bënte 400 euro), 3 mijë lekë në muaj për bebet për 5 vitet e para të jetës.

Lidhur me mendimin e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj, ka reaguar deputetja Jorida Tabaku. Ajo përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka thënë se Shqipëria do të fitojë me taksën e sheshtë pasi shqiptarët do të taksohen në një mënyrë të ndershme dhe të barabartë dhe do të punësohet 110 mijë persona.

Postimi i plotë i Ahmetaj

Taksë e sheshtë varfëruese apo taksim i drejtë progresiv?

Dyfishim i të ardhurave për frymë...pa afat. Si projekti i tramit.... në kalenda...

Ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore – gënjeshtër? padituri?..apo një skemë për t’i lënë shqiptarët pa pension.

Pra, një program “futja kot, se dhe po na besuan, fajin e kanë vetë”

Ja çfarë na thanë në pseudo-programin e tyre:

1. Do vendosin taksë të sheshtë 9% mbi të ardhurat nga paga – pra, rritje takse për të gjitha pagat deri në 100 mijë lekë/muaj; taksë varfëruese për 94.5% të të punësuarve; ulje taksash për vetëm 5.5% të tyre!

Një qytetar me pagë 35 mijë lekë/muaj, paguan tatim:

·   1% - me taksën e drejte progresive

·   9% - me taksën e sheshtë. I rritet tatimi mbi të ardhurat me 31 mijë lekë më shumë në vit; praktikisht shteti i merr nga xhepi një pagë mujore në vit.

Një qytetar me pagë deri 35-40 mijë lekë/muaj, paguan tatim:

· 2.6% - me taksën progresive

·  9% - me taksën e sheshtë. I rritet tatimi 280 USD më shumë në vit.

Po kë lehtëson taksa e sheshtë 9%?

Një qytetar me pagë të lartë 200-300 mijë lekë në muaj, paguan:

·  13.6% tatim - me taksën progresive

·   9% tatim - me taksën e sheshtë. I ulet tatimi me 1850 USD/vit.

E dini sa i kursen taksa e sheshtë 9% një bankieri, drejtuesi koorporate, apo punonjësi me pagë 300-400 mijë lekë/muaj? 11.600 USD në vit. Me taksën varfëruese të sheshtë 9%, maja e piramidës së pagave, përfiton në total ulje taksash 150 milionë lekë/muaj.

2. Do të ulin tatimin mbi të ardhurat e kompanive nga 15% ne 9% - pra, 10 mijë biznese të mëdha të përfitojnë në kurriz të 100 mijë bizneseve të vegjël!

Me taksën e sheshtë 9%, i kursejnë 10 mijë kompanive të mëdha rreth 14.5 miliardë lekë.

Me taksën e drejtë progresive, në 8 vitet e fundit, taksat e biznesit të madh janë rritur 460% krahasuar me 2013.

3. Vendosin tatimi 0,5% të xhiros për bizneset e vogla – 20 milionë dollarë në kurriz të biznesit të vogël, 100 mijë biznese që sot paguajnë 0 TAKSA!

4. Ulja e taksës se qarkullimit me 20 lekë nga çmimi i karburanteve dhe 4 lekë TVSH, 24 lekë/litër  - nëse llogarisim që konsumi vjetor i karburanteve është rreth 480 mijë ton, efekti në buxhet i kësaj mase do të ishte -14,4 miliardë lekë, ose një rënie me 5% e të ardhurave vjetore nga Tatimet dhe Doganat.

5. Ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore nga 24,5% në 18% - Të ardhurat vjetore nga kontributet e sigurimeve shoqërore do të uleshin në 64 miliardë lekë, ose 23 miliardë lekë më pak nga sa arkëtohen sot. Kjo është skema “t’i lemë shqiptarët pa pensione”!

Ora 12:52
Tabaku i përgjigjet Ahmetajt: Shqipëria fiton me taksën e sheshtë duke punësuar 110 mijë shqiptarë

Deputetja, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me mendimin e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj mbi programin ekonomik të PD-së.

Ajo përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka thënë se Shqipëria do të fitojë me taksën e sheshtë pasi shqiptarët do të taksohen në një mënyrë të ndershme dhe të barabartë dhe do të punësohen 110 mijë persona.

“Shqipëria fiton me taksën e sheshtë sepse investimet e huaja direkte do të rriten, Shqipëria sot nuk ka më investime të huaja. Por ajo do të fitojë nga rritja e tyre përmes taksës së sheshtë 9%.”, shkruan ajo.

Sipas Tabakut, Shqipëria fiton kur shqiptarët taksohen në mënyrë të barabartë, fiton kur shtresa e mesme që sot diskriminohet do të mund të sigurojë më shumë të ardhura përmes taksës së sheshtë.

‘Taksa e sheshtë do të rrisë formalitetin, do të eliminojë favorizimet dhe do të nxisë ekonominë", shkruan në fund të postimit ajo.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?