Program për të papunët e COVID, Muça: Jo afatgjatë! Profesionet që duhet të zgjedhin, të kenë lidhje me teknologjinë

3 Gusht 2020, 21:20| Përditesimi: 3 Gusht 2020, 21:30

  • Share

TIRANË- Punësim në privat për 4 muaj, për 8 muaj apo 1 vit si dhe subvencionim i pagës minimale për disa muaj, është programi i qeverisë për të papunët e dalë si pasojë e COVID-19.  Në fazën e parë shteti paguan 2 paga 26 mijë lekë, ndërsa kontributet i paguan punëdhënësi. Për fazën e dytë shteti paguan 4 paga dhe në të tretën vetëm kontributet. Për ekspertin e çështjeve të punësimit Erion Muça thotë se programi është i paqartë dhe nuk dihet sa persona do të përfitojnë.

“Unë e cilësoj këtë program riparues dhe jo shumë stimulues për të përballuar apo rimëkëmbur dëmin apo pasojat e papunësisë sidomos tek të rinjtë e mbetur të papunë. Së pari ka një paqartësi teknike që lidhet me numrin total të përfituesve, dhe buxhetin e vënë në dispozicion për këtë program”, shprehet eksperti Muça.

Eksperti propozon hartimin e një strategjie afatgjatë, ku t’ju jepet mundësia kryesisht të rinjve të drejtohet tek profesionet që mund të zhvillohen edhe në distancë. Pra kryefjala të jetë teknologjia. 

“Hartimi i një strategjie afatmesme për mënyrën se si do të punësohen? Çfarë mekanizmash, si do të përshtaten çfarë kapacitetesh ka tregu sot. Çfarë aftësish duhet të zhvillojnë këta të papunë? A është momenti që të zhvillojnë aftësitë digjitale. Çdo profesion duhet të shohë mundësitë se si duhet të përshtatet me pandeminë, si të punohet në distancë, pra roli i teknologjisë është i pashmangshëm”, deklaron eksperti.

Por nga ana tjetër shqetësim në këtë situatë sipas Muçës është edhe mosbesimi i biznesit, i cili nuk shpall vende të lira pune.

“Situatën ekonomike e tregun edhe një raport i para dy javëve, ku numri i ofertave për punë të shpallura ishte 273 ndërsa çdo vit numri i personave të shpallur të papunë është rreth 35 mijë”, thotë pedagogu Muça.

Ndërsa institucioni përgjegjës për regjistrimin e punëdhënësve të interesuar si dhe do të ndjekë procedurat për përfitimet nga këto programe të punësimit do të jetë Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Edhe pse ende nuk ka një shifër përfundimtare, pedagogu pohon se deri në fund të vitit do të jenë rreth 100 mijë të papunë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?