Kosova & Rajoni
Opinion
Periferi

Profecia e Roberto Savianos për të ardhmen Kosovë-Shqipëri dhe kriminaliteti i Rajonit

22 Gusht 2021, 15:12| Përditesimi: 22 Gusht 2021, 15:23

  • Share

Ishte maj 2015. Gazetari dhe shkrimtari Italian me famë botërore, Roberto Saviano erdhi për herë të parë në Shqipëri për promovimin e librit të tij të ri ZeroZeroZero. Pata fatin ta takoj në pritjen e ambasadës italiane për nder të tij dhe, me shumë mirësjellje e gatishmëri, Saviano pranoi të jepte një intervistë për mua.

Foli lirshëm për kriminalitetin në Shqipëri e Ballkan. Ishte i gëzuar për energjinë e të rinjve në Shqipëri dhe për qiellin e bukur që pa këtu; pa ndroje u shpreh i habitur se si politikanë a kyebashkiakë ia kishin mohuar ekzistencën e kriminalitetit në vend, duke “iu përveshur” (siç e kemi zakon)... Në Napoli keni shumë, këtu jo!

Takimi me Roberto Savianon ishte një nga ato takime që bëhen në jetë me njërëz ndryshe dhe e ndjen. Saviano nuk është si disa gazetarë e shkrimtarë të Tiranës që paradite pijnë kafe më kriminelë, pasdite me policë e prokurorë të korruptuar e në darkë, me barkun e tyre të madh, nga kolltukët e televizioneve, përhapin fake news duke bekuar disa kriminelë a politikanë e sulmuar rivalët e tyre; Saviano është ndryshe dhe kur një njeri është ndryshe, bota e nuhat, e kupton dhe e përhap duke e lexuar në miliona kopje librat e publikuar e duke e dëgjuar me vëmendje në çdo intervistë a konferencë. Fjalet e Savianos kane peshe te madhe.

Duke ndjekur lajmet e fundit sidomos pas nismës “Open Balkans” më erdhi sërish në mendje ajo intervistë, sidomos pjesa për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë-Rajon. Në fund të majit 2015 Edi Rama do të takonte Vuçiçin në Tiranë dhe që atëherë nisi një përpjekje për të pasur një Ballkan të hapur, bashkëpunues e pa kufi. Ajo që i gëzojmë Shengenit të Europës, ajo që na ka munguar në 40 vite diktaturë, kur shqiptari Enver Hoxha na mbylli, duke ja kaluar në egërsi e çmenduri jugosllavit Tito që, gjithësesi, Kosovën dhe republikat jugosllave i mbajti më të hapura në lëvizje, fe dhe pronë private.

Pjesë nga Intervista që të plotë e gjeni në Arkivin on line të Shqiptarja.com

...Alba Malltezi: Flisni dhe keni studiuar mafiat e ndryshme dhe flisni për një feeling mes mafias kosovare dhe mafias serbe dhe i vendosni në opozitë me mafian shqiptare. Ndërsa nga ana tjetër ka një tendencë të politikës së Tiranës, kryeministrit Rama për t'u afruar me politikën e Beogradit. A do të munden mafiat të pengojnë këtë rrugëtim që kërkon bashkëpunimin e vendeve të rajonit?

Roberto Saviano: “E vërtetë. Unë besoj se pas distancës politike Kosovë-Tiranë është rivaliteti mes mafi ave dhe familjeve të Tiranës dhe familjeve të Prishtinës, por jo mes popullatës, e cila është e lumtur të jetë e bashkuar. Janë shqiptarë, duan të rrinë nën shqiponjën shqiptare, por nuk e duan këtë disa lloj pushtetesh. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë mund të jetë shumë i dobishëm, por duhet kuptuar se çfarë ndodh në anën kriminale, sepse ata kanë një logjikë tjetër. Çfarë duan familjet serbe (mafioze) Familjet serbe kanë pasur gjithnjë marrëdhënie me familjet malazeze. Mali i Zi është përdorur shumë herë për të shkarkuar kokainën. Darko Sariç, bosi serb, është strehuar gjithmonë në Mal të Zi. Kjo hapje mund të japë rezultate edhe në kundërshtinë, në kundërshtinë e organizatave them.

Duhet parë se çfarë ndodh me ta, nëse organizatat kriminale serbe duan të vënë këmbë në Shqipëri - edhe pse nuk e besoj - unë besoj se ata përmes Malit të Zi komunikojnë me njëri-tjetrin, nuk ka më një urrejtje si në të kaluarën, në kohë e pasluftës në Ish-Jugosllavi. Por është interesante të kuptohet se si çdo gjë është e lidhur, sesi vendimi i një Presidenti, sjell me vete një sërë zgjedhjesh të këtyre ambjenteve. Dhe flitet pak sepse sa herë që unë flas për Kosovën nëpër rrjetet sociale, bëhët një zhurmë e madhe…”

 

Kanë kaluar gjashtë vite nga kjo intervistë e Roberto Savianos. Ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë këmbejnë me njëri-tjetrin marrëdhënie, pushime, ndjenja dhe emocione, politika sa vjen dhe largohet. Lexuesit e njohin mirë gjendjen, shpesh më mirë se ata që flasin e shkruajnë publikisht. Nëse janë një profeci apo jo këto fjalë të gazetarit e shkrimtarit italian do ta tregojë përsëri koha. Deri tani e vërteta e fakteve është në anën e Savianos.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?