Politikë

'Shporta', PD dorëzon në Kuvend nismën ligjore për uljen e TVSH-së nga 20% në 6%, Tabaku: Në ndihmë të qytetarëve

26 Tetor 2021, 11:55| Përditesimi: 26 Tetor 2021, 14:52

  • Share

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dorëzuar sot në Kuvend nismën ligjore të PD për uljen e TVSH-së nga 20 për qind, në 6 për qind për produktet e shportës.

Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, Tabaku u shpreh se kjo është një nismë politike në ndihmë të qytetarëve, dhe jo një nismë populiste.

Tabaku deklaroi se ulja e TVSH do të ndihmojë drejtpërdrejt qytetarët.


"Ulja e TVSH-së do të bëjë atë që ka bërë në BE, atë që nuk e ka bërë dot qeveria, do të ndihmojë shtresat në nevojë. Vendet e BE kanë ulur TVSH-në si një nxitje e stimulim për ekonominë, kanë ulur TVSH-në për energjinë.. Propozimi ynë është shumë konkret. Në vendin tonë mungon kontrolli i tregut, por do të shkojë në ndihmë të qytetarëve ulja e TVSH-së. Vetë qeveria e di që çmimet e shportës janë rritur me 5 për qind."- tha Tabaku. 

Ishte kryedemokrati Lulzim Basha ai i cili pas një mbledhje me grupin parlamentar të PD në shtator, deklaroi se PD do të propozonte uljen e TVSH-së për mallrat e shportës nga 20 për qind në 6 për qind.

Ai tha se Basha theksoi se “shqiptarët duhet ta kuptojnë se forcën që na kanë dhënë me 25 prill, pavarësisht prej masakrës zgjedhore ne do t’i kërkojmë uljen e TVSH duke provuar qartë se ky shtet pavarësisht se i rrënuar, i grabitur, i zhvatur prapëseprapë e ka mundësinë qe duke ia u hequr paratë, favoret, një grushti njerëzish për të cilët punon kjo qeveri t’i shërbejë këtyre 97% të shqiptarëve pikërisht pra duke ulur TVSH si një hap të parë dhe të menjëhershëm për këtë krizë te thellë ekonomike dhe për thellimin e kësaj krize përmes rritjes së çmimeve te ushqimeve bazë dhe shërbimeve bazë”.

Në lidhje me këtë çështje, më herët, Zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se ulja e TVSH-së nuk shkon te konsumatori, përkundrazi e dëmton konsumatorin duke i hequr burxhetit instrumente për t'i shërbyer të varfërve nëpërmjet ndihmës ekonomike, apo shërbimeve të tjera. 

 

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?