Procesi për kryetarët e degëve/ Arbis Vjerdha akuzon ministren: Po tenton të më përjashtojë nga gara! PS Shkodër zbulon kriteret që nuk plotëson kandidati

3 Qershor 2022, 18:56| Përditesimi: 4 Qershor 2022, 07:48

  • Share

Procesi për drejtuesit e rinj të degëve të PS solli përplasje mes kandidatit të Shkodrës Arbis Vjerdha dhe ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali. 

Në garë për kryetar në degën e PS Shkodër, Arbis Vjerdha hedh akuza të forta ndaj ministres së shtetit për sipërmarrjen, njëherësh koordinatores politike të qarkut Shkodër Edona Bilali, për të cilën thotë se ka tentuar ta përjashtojë atë nga gara. Vjerdha kërkon të mos e përjashtojë nga gara vetëm se nuk ka përfaqësuar PS në Këshillin Bashkiak, ndaj i bën thirrje që të mos marrin njerëz të zhytur në borxhe por të bëjnë proces transparent.

"Kam depozituar dokumentacionin e nevojshëm për kryetar të PS, por lufta brenda llojit vijon të jetë prezente dhe koordinatorja Bilali, duke parë që Arbisi nuk duhet të jetë në planet e saj, vendos kundër propozimit të kryeministrit, që emri im të mos jetë. Ajo në asamble propozon që personat që nuk përfaqësojnë PS në këshillin bashkiak, që i bie të jem vetëm unë, nuk mund të kandidojnë. Kjo tregon nivelin arkaik që ka qeveira jonë me zgjedh një person të tillë që i servir Shkodrës për ta drejtuar politikisht. I bëj thirrje, që nëse e do partinë, nëse e do dinjitetin dhe ke respekt për veten, në zgjedhje transparente, me meritokraci, që t’i ofrosh Shkodrës një person që bën ndryshimin. Mos merrni njerëz të mbytur në borxhe për ti bërë drejtora. PS ka nevojë për ndryshim nuk ka nevojë për njerëz që i ndërrojnë perdet. Duhet ndryshuar struktura, e kjo nuk bëhet për qëllimet personale të Bilalit. Të hidhet në votim dhe jo të bëhen përjashtime.

Sipas tij, Bilali ka vendosur që të zgjedhë shoqen e saj si kryetare të degës së PS në Shkodër. Ndër të tjera i jep mesazh ministres duke i thënë se aq vite sa ka jetë ajo, Vjerdha ka dhënë kontribut për PS.

"Unë nuk merrem me gojët e liga, sepse thonë që drejtoresha e postës, shoqe e ministres, do ta zgjedh kryetare të partie. Janë fjalë dhe jo baza, prandaj unë po them që për mua është vendos mos të jem, ky është fakt. Unë do të bëj lëvizjet e mia, por i them ministres, se aq vite sa ke ti moshë, unë i kam në parti. Duke protestuar e duke dhënë kontribut", tha Vjerdha.

Teksa rreshtohen të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, në reagimin e PS zbulohet cfarë nuk plotëson Vjerdha, ndaj edhe duhet të përjashtohet nga gara. Aty thuhet se nuk plotëson kushtin formal të kryerjes së jetës aktive në parti për së paku një vit, si dhe ai përfaqëson një forcë politike të ndryshme nga PS në Këshillin Bashkiak Shkodër prej së paku 3 vitesh.

"Kandidati Arbis Vjerdha ka paraqitur kërkesën e tij për të kandiduar për postin e kryetarit të Partisë Socialiste Dega Shkodër, që në shpalljen e hapjes së procesit. Dokumentacioni sipas udhëzimit përbehet nga: jetëshkrimi (CV), formulari i vetë deklarimit për dekriminalizimin, vërtetim të gjendjes gjyqësore, dokument përshkrues i vizionit dhe platformës, dhe kërkesën zyrtare për të kandiduar, të firmosur. Dokumentacioni i kandidatit është vlerësuar si i plotë nga ana formale nga anëtarët e Këshillit Koordinues të Qarkut Shkodër pasi është në përputhje me pikën 2.5 të Udhëzimit Nr.3 datë 10.5.2022 të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Njëherazi, Këshilli Koordinues i Qarkut, i përbërë nga 23 anëtarë, sipas pikës 5 të udhëzimit nr.3 bën vetëm verifikimin e kushteve formale të përcaktuara sipas pikës a/2 të të njëjtit udhëzim i cili citon: Kandidatët për kryetar të Partisë të Bashkisë duhet të kenë si rregull vendbanim dhe të bëjnë jetën e Partisë për një periudhë jo më pak se një vit, brenda territorit të bashkisë, të jenë anëtarë të Partisë si rregull për një periudhë jo më pak se tre vjet, të kenë arsimin e lartë, si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor, sipas kërkesave të neneve 45 dhe 46 të Statutit.

Në rastin e kandidatit Vjerdha, ai nuk plotëson kushtin formal të kryerjes së jetës aktive në parti për së paku një vit, si dhe ai përfaqëson një forcë politike të ndryshme nga PS në Këshillin Bashkiak Shkodër prej së paku 3 vitesh, saktësisht Partia Demokracia Sociale, informacion i cili mund të vërtetohet lehtësisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë arsye, Këshilli Koordinues i Qarkut ka votuar unanimisht propozimin që në relacionin për Komisionin e Posaçëm kjo kandidaturë nuk plotëson kriteret formale. Dëshirojmë të theksojmë se sipas udhëzimit në fjalë, në rang qarku vetëm administrohet procedura, dhe nuk shprehen për preferenca për kandidatët", thuhet në reagim.

Ndër të tjera, me postimin në Facebook, PS Shkodër tregon se janë propozuar për mos plotësim kriteresh formale 4 kandidatë në rang qarku, për arsye që nisin nga angazhimi politik e deri te vërtetimi i adresës. Komisioni i Posaçëm i ngritur nga Kryesia e Partisë Socialiste të Shqipërisë pasi të bëjë vlerësimin e kandidaturave do të lajmërojë kandidatët për datat e prezantimit të platformave të tyre pranë Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Shkodër.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?