“Pro amnistisë fiskale, kundër pastrimit te parave”, Enio Jaço: Drafti të konsultohet me Moneyval, Shqipëria është në listën gri

30 Qershor 2020, 18:51| Përditesimi: 30 Qershor 2020, 19:12

  • Share

Nismë e mirë por që duhet studiuar me kujdes. Kështu e sheh Dhoma Amerikane e Tregtisë amnistinë fiskale që pritet të zyrtarizohet këtë vit dhe që i hap rrugën legalizimit të parave të padeklaruara. Presidenti i Dhomës Enio Jaço thotë për Report TV, se përpara prezantimit të draftit duhet të ketë një konsultim intensiv me ndërkombëtarët, dhe duhet të krijohen mekanizma për të shmangur pastrimin e parave.

“Ne kemi dy -tre parime që janë shumë të rëndësishme. Në radhë të parë duhet të bëhet një konsultim i plotë me grupet e interesit, i cili për momentin mendoj se ka filluar. mendoj që është shumë e rëndësishme të konsultohet me partnerët ndërkombëtar pasi vitin e kaluar Shqipëria ka bërë disa hapa pas pasi u fut në listën gri nga Moneyval dhe është shumë e rëndësishme që të garantohet që të garantohen elementet që nuk do të kemi fenomen të pastrimit të parave”, thotë për Report TV, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço.

Në rast se respektohen kriteret e lartëpërmendura, amnistia fiskale do të jetë një mundësi për të rritur ekonominë e vendit.

“Ne as nuk e mbështesim dhe as nuk jemi kundër në një farë mënyre nëse garantohen këto tre principe që sipas nesh, sidomos garantimi i mospastrimit të parave mund të ishte një nismë që do të sillte ndikim pozitiv në ekonomi”, shprehet Jaço .

Për formalizimin e parave dhe legalizimin e çdo pasurie të paregjistruar konsultime ka pasur edhe me Moneyval, e cila në muajin shkurt të këtij viti e klasifikoi Shqipërinë në listën gri si vend me nivel të lartë të pastrimit të parave. Drafti final do të bëhet publik në korrik, dhe amnistia do të zgjasë rreth 1 vit.

Bizneset dhe individët që kanë kapitale të padeklaruara, mund t’i legalizojnë duke paguar tatimin nga 5 deri në 10 për qind, në varësi të kohës së deklarimit.Me regjistrimin e pasurisë, detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, konsiderohen të paguara rregullisht, nuk do gjobiten, nuk do ndiqen penalisht, dhe nuk do të kërkohet justifikimi i burimit të ardhurave.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bla bla bla: 30/06/2020 19:37

    Shqiperia duhet te ndjeke e zbatoje Politikat e saj SOVRANE.si shtet Sovran.. ,ne te mire te Zhvillimit e MbareVajtjes se Shtetit Shqiptar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?