Ilir Meta

Pr/lgji i sigurimit të banesave nga tërmeti i detyruar, Meta: Taksë që rëndon xhepat e qytetarëve

16 Gusht 2023, 15:20| Përditesimi: 16 Gusht 2023, 15:21

  • Share

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një deklaratë për mediat sa i takon projektligjit që detyron qytetarët të paguajnë sigurimet për banesat e tërmetit. Meta thotë se e gjithë kjo lëvizje e qeverisë është egoiste dhe vjen direkt pas zgjedhjeve të 14 majit.

“Qeveria aktuale në vend që të përmirësojë performancën e mbledhjes së të ardhurave dhe të reformojë administratën tatimore dhe të luftojë korrupsionin galopant dhe evazionin, përkundrazi ndjek politikën e rritjes së vazhdueshme të nivelit të taksave sidomos pas zgjedhjeve.

Si dhe në rastin e taksimit mbi të ardhurat personale, në vend që të rriten të ardhurat duke luftuar korrupsionin dhe informalitetin, qeveria rrit nivelin e taksës.

Edhe në rastin e taksimit mbi pronën, në vend që të reformohet sistemi i administrimit dhe të luftohet informaliteti, qeveria shumëfishon nivelin e taksës dhe të detyrimeve mbi pronën.

Kulmi arrin në Tiranë, ku pagesat vjetore të bizneseve për taksën e ndërtesës do të rriten deri 91%.

Krahasuar në vlerë taksa vjetore e ndërtesës që paguajnë bizneset me çmimet fiskale të 2023 është gati 9 herë më tepër se pagesat e familjarëve për taksën e apartamenteve.

Pa kaluar as 100 ditë nga zgjedhjet vendore të 14 Majit, qeveria në mënyrë arbitrare dhe të pabesë ka marrë një vendim, i cili rrit nga 50 për qind deri në 75 për qind, pagesën që familjet shqiptare duhet të paguajnë si taksë për pronat e tyre, për shkak të Vendimit të Qeverisë që rriti çmimet e referencës së pronave duke zhvatur në këtë mënyrë dhjetra milionë euro nga buxhetet e familjeve shqiptare.

Mesa duket e ardhmja është e qartë se me këtë qeveri do të jetë vetëm rritja e taksave në mënyrë të pandërprerë. 

Qeveria këto ditë ka prezantuar edhe një projektligj të ri për taksën e pronës, duke propozuar krahas rritjes së taksës që do paguajnë shqiptarët mbi pronën per shkak të VKM, edhe një dyfishim të taksës së banesës nga 0.05 për qind në 0.1 për qind.

Duke zgjeruar bazën e kësaj takse që përfshin edhe ndërtesat bujqësore e ato blegtorale deri tek stallat dhe kasollet e lopëve.

Projektligji për Sigurimin e detyrueshëm të banesave për tërmetin, është gjithashtu një tjetër taksë që do të rëndojë të gjithë shqiptarët që janë pronarë të një banese.

Të ardhurat që qeveria u merr familjeve nga taksimi i pronës do të rriten nga 0.3 për qind e PBB-së që janë sot në 1 për qind e PBB pra më shumë sesa trefishin.

Në totalin e tyre janë disa qindra milionë euro që do të dalin nga xhepat e qytetarëve të thjeshtë dhe buxhetet e familjeve shqiptare, në vend që ata të ndihmoheshin pas vështirësive ekstreme me të cilat ata u përballën pas krizës së çmimeve dhe asaj të Covidit më parë.

Qeveria rrit taksat dhe ndërkohë nga ana tjetër, nuk plotëson detyrimet e saj për indeksimin vjetor të pagave dhe rritjen e tyre.”- thotë Meta.

Projekt-ligji i nxjerrë për konsultim publik, ka si qëllim mbulimin e humbjeve financiare nga tërmetet ndërsa detyrimin për t’u siguruar e kanë të gjitha banesat, përfshirë ato sociale me qira dhe ato në proces legalizimi.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?