Objekti i ndërtuar brenda bazës ushtarake të Shëngjinit

‘Privatizuan’ bazën ushtarake të Shëngjinit, Gjykata e Lartë lë në fuqi sekuestron preventive ndaj ndërtimeve të jashtëligjshme

27 Nëntor 2023, 15:47| Përditesimi: 27 Nëntor 2023, 16:19

  • Share

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sekuestros preventive ndaj pronave që janë ndërtuar dhe po ndërtohen brenda territorit të bazës ushtarake të Shëngjinit. Procedimi penal për këtë çështje nisi nga SPAK për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Në hetim janë vënë disa ish-zyrtar lokal të cilët dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Gjykata e Lartë ka cituar prokurorinë që thotë se “kjo pasuri është brenda vendosjes së Forcave të Armatosura dhe se regjistrimi i kësaj pasurie në emër të personave privatë është në kundërshtim me ligjin dhe përbën cenim të sigurisë kombëtare”.

Objekti disa katësh brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit ka nisur të ndërtohet 2 vite më parë. Kjo çështje po hetohet që prej vitit 2021 pasi Komanda e Forcave Detare pas inventarit aplikoi për regjistrimin e gjashtë pronave. Denoncimi u bë nga ish-zëvendës komandati i Forcës Detare, Artur Meçollari dhe më pas u vu në lëvizje Ministria e Mbrojtjes dhe organet e drejtësisë që vendosën ndalimin e punimeve në godinën e ngritur deri në 4 kate.

Ka dyshime se në shkelje të dekretit për pronat e Forcave të Armatosura, zyra vendore e regjistrimit të pasurive në Lezhë, pajisën me dokumentacion të pjesshëm pronësie individë të ndryshëm brenda bazës ushtarake të Shëngjinit për një sipërfaqe rreth 62 mijë metër katrorë

Hetimet nisën nga SPAK, por më pas çështja i kaloi prokurorisë së Lezhës pasi Prokuroria e Posaçme nuk gjeti shkeljet nga subjektet që ka nën kompetencë.

Kujtojmë se vënia nën sekuestro preventive e objektit u kundërshtua në 2022 nga shoqëria që po kryen këtë investim. Përmes mbrojtësit ligjor të saj, avokatit Erjon Gjoni, kompania ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë në Lezhë që vendosi masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme që sipas VKM Nr.515/2003 janë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe konkretisht të palës kallëzuese Reparti Ushtarak Nr.2001, pjesë e strukturës organizative të Forcave të Armatosura.

Si përfundim Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga personat e interesuar Nik Palokaj, Saimir Mergjyli, Aida Mergjyli, Petrika Golloshi, Alqi Golloshi, Artur Palokaj, Shoqëria “Flori” shpk, dhe Tonin Dodaj, kundër vendimit me nr. 111, datë 30.04.2022, të Gjykatës së Apelit, Shkodër.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • GAZMEND K.: 27/11/2023 18:21

    Kjo është arsyeja pse investitorët e huaj nuk po vijnë! Nuk është zgjidhje bllokimi i pasurive të paligjshme. Detyrë e shtetit është të mos lejojë pronësinë dhe ndërtimet e paligjshme në nivel “zero investim”. Ky është një rrezik për çdo kapital (i zi apo i bardhë). Pronari i godinës nuk po e ndërton atë pa asnjë leje! Aktorët e shtetit nuk duhet të kenë kurrë mundësi të abuzojnë me detyrën e tyre. Kjo nuk ndodh në një zonë rurale. Kjo nuk po ndodh me asnjë institucion shtetëror. Këtu ka aktivitet të paligjshëm brenda bazës ushtarake të një vendi që është anëtar i NATO-s! Është vetë institucioni që duhet të mbrojë shqiptarët! Mund ta imagjinoni këtë situatë të mjerueshme!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?