Privatizimi i ish-fabrikës ‘Buka’ në Tiranë, shtyhet seanca për Arben Ahmetajn në arrati! Avokati: Çështja të kthehet për hetim në SPAK

18 Janar, 08:15| Përditesimi: 18 Janar, 11:42

  • Share

TIRANË- Seanca paraprake ndaj ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, lidhur me dosjen e privatizimit të fabrikës ‘Buka’, është shtyrë për datën 2 shkurt. Shtyrja është bërë pas kërkesës se avokatëve të ish-zëvendës kryeministrit, të cilët kërkojnë kthimin për hetim të çështjes, duke ngritur disa argumente kundër akuzës.

‘'Kërkesat tona janë që kërkesa për gjykim të deklarohet e pavlefshme, aktet t’i rikthen prokurorisë. Prokuroria të detyrohet të njohë mbrojtjen me të gjitha aktet sipas ligjit dhe më pas të fillojë procedura. Qëndrimi i SPAK ishte që nuk pati ndonjë qëndrimet të qartë. Gjykata kërkoi kohën e saj.'- tha avokati i tij Henrik Ligori.

Më 7 dhjetor SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi në GJKKO dosjen në ngarkim të ish-zëvendës kryeministrit. Ndaj Ahmetajt është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë të vjetra, teksa ish-numri dy i qeverisë ndodhet prej muajsh në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Elbasanit dhe pasurinë e pajustifikuar.

Prokuroria e Posaçme vijon hetimin për 7 persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari, i cili sipas SPAK, edhe përfitoi nga privatizimi në kohën kur Ahmetaj ishte ministër i Financave. Por vetëm këtij të fundit i është komunikuar akuza përmes avokatit të tij.

Dyshohet se mes Ahmetajt dhe biznesmenit ka pasur marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a”, e ndodhur në një nga pikat më të lakmuara të Tiranës. Lidhur me këtë procedurë paraardhësi i Ahmetajt Shkëlqim Cani e kishte refuzuar, teksa ky i fundit është pyetur nga SPAK lidhur me këtë çështje muaj më parë. Prona prej mijëra metrash katror i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit, familjes Myderzi.

Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014 dhe që kanë vijuar më pas ankande e procedura të tjera deri në 2022, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë është bërë biznesmeni Lirim Fezollari. Ish-zv.kryeministri, ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë",  “Korrupsion pasiv" dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim.

Pak ditë më parë Ahmetaj humbi dhe mandatin e deputetit, pasi prej gati 6 muajsh nuk u paraqit në Kuvend, ndërsa vendin e tij e zuri Plarent Ndreca.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?