Prezenca e OSBE-së në Tiranë

Politikë

Prezenca e OSBE-së përmbyll fushatën e edukimit të zgjedhësve, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri

23 Prill 2021, 13:33| Përditesimi: 23 Prill 2021, 13:36

  • Share

Më 22 prill 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli një fushatë tremujore për edukimin e zgjedhësve lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Fushata, e zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, synoi njohjen e zgjedhësve me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, dhe nxiti pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Si pjesë e fushatës, Prezenca përgatiti dy spote televizive informuese, ku u bëhej thirrje qytetarëve të kontrollonin vlefshmërinë e dokumenteve të tyre të identitetit dhe saktësinë e të dhënave në listat e zgjedhësve, si edhe jepej informacion për krimet zgjedhore. Spotet u transmetuan në televizionin publik dhe privat dhe u shpërndanë në rrjetet sociale.

Për të rritur ndërgjegjësimin e grave dhe të të rinjve romë dhe egjiptianë, Prezenca organizoi sesione online dhe takime fizike për edukimin e zgjedhësve, si edhe përgatiti podkaste të fokusuara te nxitja e pjesëmarrjes, informimi për ndryshimet ligjore dhe procedurat e votimit.

Fushata synoi edhe të rinjtë – përfshirë ata që votojnë për herë të parë dhe të rinjtë me kufizime në shikim – për t’i njohur ata më mirë me procesin zgjedhor. Në këto takime u diskutuan edhe lajmet e rreme dhe ndikimi i tyre në zgjedhje, si edhe ndikimi i medias në perceptimet dhe zgjedhjet e zgjedhësve. Po ashtu, Prezenca organizoi katër seminare online me gazetarë, që mbulojnë zgjedhjet, nga media publike dhe private. Ato u përqendruan në risitë e këtyre zgjedhjeve, si edhe në mjedisin e duhur për gazetarët që të raportojnë për çështjet zgjedhore në mënyrë të saktë, të paanshme dhe të balancuar.

Më shumë se 300 pjesëmarrës ndoqën sesionet informuese dhe trajnimet, online apo fizikisht.

Fushata u zbatua në përputhje me mandatin e Prezencës për të ndihmuar Shqipërinë në zhvillimin e institucioneve demokratike dhe për të promovuar shtetin e së drejtës. Disa nga veprimtaritë e fushatës u organizuan si pjesë e projektit të Prezencës “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?