OSBE mbështet SPAK-un dhe Gjykatat e Posaçme! Dumani: Vëmendje të veçantë korrupsionit të funksionarëve publikë

27 Tetor 2023, 21:16| Përditesimi: 27 Tetor 2023, 21:44

  • Share

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim për “Hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik”.

Trajnimi u hartua mbështetur në fushat me interes të identifikuara nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie.

Trajnimi synoi rritjen në tërësi të kapaciteteve të prokurorëve të SPAK-ut dhe të Gjykatave të Posaçme për të kryer hetime për korrupsionin e nivelit të lartë dhe grupet transnacionale të krimit të organizuar.

Ai u përqendrua te rreziqet e lidhura me procedurat e prokurimit, risitë ligjorë, teknikat e posaçme në hetimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetet publik-privat, dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë, edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjatë trajnimit u diskutuan edhe raste studimore.

Në fjalën e tij në hapje të trajnimit, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha se, “SPAK u ka kushtuar një vëmendje të veçantë veprave penale të kryera në kuadër të korrupsionit të funksionarëve publikë, ku përfshihen edhe ato në fushën e prokurimit publik. Qasja e re e ndjekur konsiston në rritjen e efektivitetit të hetimeve nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në fushën e hetimeve financiare. Nga ana tjetër, formulimi ligjor i veprave penale përkatëse mund të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme”.

Trajnimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve ndërdepartamentale të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë për të çuar përpara zbatimin e reformës antikorrupsion në vend dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet kryesore të drejtësisë dhe shoqatat e shoqërisë civile që punojnë me sistemin gjyqësor, përmes aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.

Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e sistemit gjyqësor, me mbështetjen e saj të vijueshme në procesin e zhvillimit profesional. Prezenca do të vijojë të mbështesë konsolidimin dhe funksionimin e efektshëm të institucioneve të drejtësisë.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?