Kronikë

Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për forcimin e kapaciteteve të Gjykatës

14 Prill 2021, 18:53| Përditesimi: 14 Prill 2021, 18:55

  • Share

TIRANË- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha, nënshkruan, sot, një memorandum mirëkuptimi për të forcuar bashkëpunimin për përmirësimin e kapaciteteve të Gjykatës në përmbushjen e detyrave të saj në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Ky është një moment i rëndësishëm, pasi finalizojmë një bashkëpunim të Gjykatës Kushtetuese me Prezencën, që ka nisur prej disa kohësh, udhëhequr nga qëllimi i përbashkët për të forcuar ndërtimin e shtetit të së drejtës, për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe në respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ky memorandum shërben për forcimin e kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese me qëllimin final respektimin e misionit të Gjykatës Kushtetuese: garantimin e epërsisë së Kushtetutës në vendin tonë”, tha Tusha në ceremoninë e nënshkrimit.

Del Monaco tha se nënshkrimi i memorandumit është dëshmi e vijimësisë së bashkëpunimit afatgjatë mes Gjykatës Kushtetuese dhe Prezencës. Ai shtoi se partneriteti me Gjykatën Kushtetuese është përparësi e Prezencës, për shkak të rolit specifik dhe thelbësor që luan Gjykata Kushtetuese në sistemin ligjor të Shqipërisë për promovimin e plotë të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut.

“Prezenca është aty ku është zemra e shqiptarëve dhe shqiptarët po ndjekin me shumë vëmendje e respekt veprimtaritë e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, ne punojmë së bashku për funksionimin dhe efikasitetin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Del Monaco.

Në vitin 2020, Prezenca e ndihmoi Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kapaciteteve të saj, me synim hartimin e një strategjie institucionale afatgjatë, si edhe e mbështeti me literaturë profesionale. Ndihma për Gjykatën Kushtetuese është pjesë e projektit të Prezencës “Mbështetje për përparimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, i cili financohet edhe nga “Konrad Adenauer Stiftung” në Shqipëri.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?