Periferi

Nënshtetësia, Meta, dhe presidenti italian Mattarella

9 Shkurt 2021, 23:00| Përditesimi: 10 Shkurt 2021, 07:45

  • Share

Patrick Zaki është një student dhe aktivist egjiptian, i cili prej 1 viti ndodhet në burgjet e Kajros pa një proces dhe pa një të drejtë mbrojtjeje. Bënte një master në Universitet në Bolonja kur, pas pushimeve të shkurtra pranë familjes në Egjipt, nuk u kthye më në Itali për ta vazhduar. Me 7 shkurt u bë një vit nga arrestimi i tij dhe aktivistë, intelektualë, gazetarë, qytetarë në botën mbarë janë mobilizuar në sensibilizim dhe në mbrojtjen e tij. Në Itali veçanërisht, pasi Zaki rrezikon fundin tragjik të një studenti italian në burgjet e Kajros, Giulio Regeni, i vrarë në burgjet e Kajros në 2016.

Roberto Saviano, shkrimtari dhe gazetari kurajoz Italian, po impenjohet në vetë të parë dhe me forcë në mbrojtje të egjiptianit Patrick Zaki. Në rrjetet sociiale, në mass media, në TV e kudo mundet, e ngre zërin në mbështetje të tij. Së fundmi, bashkë me mijëra italianë, i kërkojnë Presidentit Italian Sergio Mattarella që t’i japë nënshtetësinë italiane studentit egjiptian, si një shpresë se dhënia e nënshtetësisë si kompetencë e presidentit, mund të shpëtojë jetën e të riut aktivist. Ja çfarë shkruan Roberto Saviano: “… Duhet bërë një hap më i guximshëm. Nëse në atë burg egjiptian do të ishte një qytetar Italian, pra europian, institucionet tona do të kishin më shumë mundësi për negociata dhe për të përfituar lirimin e tij. Për këtë i kërkojmë Presidentit Mattarella – siç bëri Carlo Verdella nga faqet e Corriere della Sera dhe sic kanë bërë mbi 100 mijë vetë online – t’I japë nënshtetësinë italiane #patrickzaki. Sipas ligjit tonë – vazhdon Saviano, - Presidenti i Republikës mund t’i japë nënshtetësinë një të huaji kur “ka një interes të jashtëzakonshëm për Shtetin”. Ja, në këtë rast bëhet fjalë për një interes të jashtëzakonshëm të Shtetit: rikthimi i dinjitetit Italisë, të cilin e humbi duke u kthyer nga ana tjetër, e duke i dhënë rëndësi interesave ekonomike sa herë që Egjipti shkel të drejtat e njeriut”.

Fjalët e Roberto Savianos dhe impenjimi i qindra mijëra italianëve në çështjen Zaki, që lusin Presidentitn Matarella t'i akordojë nënshtetësinë Patrick Zakit, na shkëlqejnë si diamantë ndriçues neve, në këtë cep të Ballkanit perëndimor, në Shqipërinë e 2021, ku Presidenti ynë i Republikës Ilir Meta, jo vetëm që e zhvleftëson dhënien e Nënshtetësisë shqiptare, jo vetëm që dha një nënshtetësi për 4 orë për të shpëtuar jo një jetë, por një ndeshje, por guxon dhe të kërcënojë gazetarët që e denoncojnë për këtë shpërdorim të tij, e ku një taborrë e tërë indiferentësh, ose më keq, mbrotjësisht, e justifikojnë. Ndërsa institucionet që duhet të hetojnë, e shohin sikur të jetë një çështje që nuk ka të bëjë me vlerën dhe dinjitetin tonë.

Dhënia e nënshtetësisë për dikë, mund të jetë shpëtim jete. Presidenti Italian Sergio Mattarella ende nuk e ka dhënë për studentin Patrick Zaki, por shpresojmë dhe urojmë që ta bëjë.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?