Presidenti Begaj në Malësinë e Madhe

Presidenti Begaj përkujton 113-vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe: Udhërrëfyes për të ardhmen që duhet të ndërtojmë

6 Prill, 14:02| Përditesimi: 6 Prill, 14:07

  • Share

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përkujtoi sot 113-vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe.

Në nderim të 6 prillit të vitit 1911, kur burrat e malësisë valëvitën flamurin e Skënderbeut në Deçiq, sot pranë memorialit të kësaj ngjarjeje historike në Hot të Malësisë së Madhe, u zhvillua ceremonia ku Presidenti i Republikës ngriti flamurin kombëtar.

Presidenti Begaj nderoi protagonistët e kryengritjes që dhanë gjithçka për të shpëtuar trojet shqiptare nga copëzimi, si dhe atdhetarët që vazhduan përpjekjen për të bërë të mundur pavarësinë dhe njohjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.

Ndërsa kujtoi faktet historike të kohës dhe qëllimet e patriotëve të kësaj treve, Presidenti Begaj e cilësoi kryengritjen si një lëvizje me karakter kombëtar dhe përbashkues të shqiptarëve me besime të ndryshme fetare: "Në memorandumin që udhëheqësit e kryengritjes iu dërguan Fuqive të Mëdha, ku firmëtarë ishin të krishterë e myslimanë, ata kërkuan, ndër të tjera, paprekshmërinë e territoreve shqiptare, njohjen e shqipes si gjuhë zyrtare dhe njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare. Kjo tregon formësimin e një ndërgjegjeje kombëtare, si dhe fuqinë për t’u bashkuar për të mirën e çështjes kombëtare".

Kreu i Shtetit u shpreh, gjithashtu, se: "Nën shtypjen e pushtuesit, ata ditën të ruajnë gjuhën, traditat, kulturën dhe identitetin, që e bëjnë Malësinë e Madhe një zonë unike".

Para banorëve të Malësisë së Madhe, pasardhës të familjeve patriote të kësaj treve, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet e tyre për të ruajtur trashëgiminë dhe frymën e të parëve, për të qenë bashkë në përballimin e sfidave dhe në angazhimin për zhvillim ekonomik.

"Kryengritja e Malësisë së Madhe, - deklaroi Presidenti i Republikës, - nuk është pjesë vetëm e historisë sonë, por edhe udhërrëfyese për të ardhmen që duhet të ndërtojmë, një të ardhme në një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ku ia vlen të jetosh".

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?