Foto ilustruese

Presidenca e Kosovës merr vendim: Të gjithë mjekët që vdiqën nga COVID-19 do dekorohen me Medalje të Meritave

25 Nëntor 2020, 07:47| Përditesimi: 25 Nëntor 2020, 08:05

  • Share

Në Kosovë, të gjithë punonjësit e shëndetit të cilët vdiqën si pasojë e COVID-19, do të dekorohen me medaljen presidenciale të meritave.

Vendimin e ka marrë presidentja në detyrë, Vjosa Osmani e cila e bën me dije përmes një postimi në rrjete sociale, ku teksa ka vlerësuar lartë kontributin e këtyre mjekëve, ka thënë se ceremonia e ndarjes së dekoratave do të mbahet ditëve në vijim.

"Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.

Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.

Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse", shkruan ajo.

Edhe në Kosovë numri i infektimeve ditore vijon të jetë i lartë, ku vetëm dje për 24 orë u raportuan 609 persona rezultuan pozitiv me COVID-1, ndërsa u shënuan 13 viktima.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?