Premiera e Preljocaj: Ato
fjalë që trupi mund të thotë

19 Tetor 2012, 13:11| Përditesimi:

  • Share
Një vepër e frymëzuar nga realiteti dhe letërsia, një art i impenjuar drejt shkartisjes ekstreme të trupit dhe mendjes. Një botë e përkthyer në kërcim nga Angjelin Preljocaj, në një shfaqje të titulluar "Ajo që unë e quaj harresë". Në fakt duhet të ishte "Ato që trupi mund të thotë" sepse e tillë vjen koreografia e artistit shqiptar që zhvillon aktivitetin e tij në Francë.
Është një lexim impenjues, që shtyn në caqet e fundit trupin duke u rrekur të transmetojë çfarë fshihen pas fjalëve, pas historisë që lexohet lehtësisht falë gërmave. Dhe duke mbetur tek gërmat le të flasim pak për ngjarjen e baletit që shfaqet të premten dhe të shtunën, në dt 19 dhe 20 tetor në Teatrin e Operas dhe Baletit. "Ajo që unë e quaj harresë" bazohet në një histori të vërtetë, të ndodhur në vitin 2009 në një supermarket të Lionit. Një djalë i ri hyn aty dhe pi një kanaçe birrë pa e paguar më parë. Katër roje të supermarketit e vënë re dhe e rrahin për vdekje. Nga kjo ngjarje është frymëzuar shkrimtari Laurent Mauvignier i cili shkroi romanin "Ce que j'appelle oubli". Fill pas leximit këtij libri, Preljocaj mori frymëzimin për të bërë një balet, tejet impenjativ në të gjitha aspektet. Pjesa është e konceptuar përmes një aktori i cili lexon pjesën dhe gjashtë balerinët të cilët karakterizohen nga lëvizje mjaft dinamike. Artistët janë Aurelien Charrier, Fabrizio Clemente, Baptiste Coissieu, Carlos Ferreira Da Silva, Liam Ëarren, Nicolas Zemmour. I pranëshëm është edhe aktori Laurent Cazanavesi, i cili do të lexojë një tekst, që sipas Preljocajt do të përkthehet në lëvizje trupore.Spektakli është shfaqur për herë të parë në Lion pikërisht aty ku ndodhi edhe ngjarja që përshkruhet ndërsa aktualisht ka një turne sipas të cilit "Ajo që unë e quaj harresë" jepet në të gjithë Europën dhe me këtë rast Preljocaj ka shtuar edhe dy net në Tiranë, në përgjigje të ftesës nga Teatri i Operas dhe i Baletit.
Nga qoshet tek qendra

Një spektakël politik? A mund të konsiderohet e tillë shfaqja "Ajo që unë e quaj harresë"? përgjigjja është për gazetarët e huaj. Preljocaj thotë: "Në të vërtetë dimensioni politik, social është i pranishëm. Një banor periferia shkon në një qendër tregtare. Edhe vetë fjalët "anë" dhe "qendër" janë antagoniste. Sikur ana të shkojë tek qendra mendoni se cfarë do të ndodhte. Çështja e abuzimit të pushtetit është shumë e pranishme në shoqëritë tona. Çka është e tmerrshme është se këto katër rojet që shkaktuan një viktimë janë vetë të mënjanuar, po aq sa ai djalë që rrahën." thotë Preljocaj duke shtuar: "Mundohem të jap një përgjigje sesi për një gjë kaq të vogël mund të arrihet në një shkallë kaq të madhe dhune dhe egërsie. Unë shpesh i bëj pyetjen vetes, pse ka kaq shumë dhunë përreth nesh".
Kjo nuk është e para që herë që koreografi shqiptar joshet nga letërsia. Në vitin 2009 ai realizoi një shfaqje ku ishte vetë balerin, por këtë herë futja e tij në botën e letërsisë, për të interpretuar nëpëmjet gjuhës së trupit, fjalët, është në një dimension më të plotë.
Preljocaj, si e zbulova "Harresën…"

E zbulova "Atë që unë e quaj harresë" të Laurent Mauvignier që nga botimi I parë në Éditions de Minuit. U pasionova menjëherë pas formës së tekstit. Është një frazë unike, një frazë e gjatë, e pambarimtë që ndjell lojën e trupave duke pasur një strukturë letrare të një forme radikale.
ky materializim i trupit e bën tekstin shumë sensual. Ai është i veshur lexime të ndryshme trupa agresivë, të gjallë, të dhunshëm, trupa epshorë, më të ndjeshëm, të dobët, të dashuruar…por trupi tek Mauvignier është gjithashtu politik. Shumë pyetje janë ngritur, ashtu si dhe një reflektim I thellë mbi përjashtimin, kufirin, shoqërinë, konsumizmine dhe e gjitha kjo nëpërmjetdialogut të heshtur të trupave.
Mendova që kërcimi mund të përfshinte subjektin, duke vënë ngjarjen në perspektivë dhe vendosur një koreografi specifike. Dhe më pas natyrisht që duhet të dëgjohet ky tekst, jashtëzakonisht i ashpër, pa kompromis, i pathyeshëm në bukurinë dhe emocionin e vet.

marrë nga suplementi fundjava, Shqiptarja.com, datë 19 tetor

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?