Prej 6 ditësh në flakë, vijon ‘beteja’ me zjarrin në pyllin e Pishporos në Fier dhe në Darëzezë! Greqia i vjen në ndihmë Shqipërisë me avion për ndërhyrje nga ajri

1 Tetor 2023, 09:41| Përditesimi: 1 Tetor 2023, 21:29

  • Share

Beteja për shuarjen e vatrave të zjarrit vijon edhe në ditën e 6-të, në masivin pyjor të Pishporos dhe Derëzezës në Fier. Në terren ka zbritur edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili njoftoi se është kërkuar ndihmë nga Emergjencat Civile të BE, ndërkohë që zjarrfikësit vijojnë "betejën me flakët".

Kërkesës së Shqipërisë i është përgjigjur Greqia e cila ka dërguar në vendin tonë një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrën e zjarrit në Pishë Poro, në Fier. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Peleshi, i cili falënderoi fqinjët tanë, për ndihmën në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Më herët Peleshi u shpreh se, 160 efektivë të Forcave të Armatosura, disa mjete zjarrfikëse e mjete të rënda iu bashkuan gjatë këtyre ditëve rreth 180 forcave zjarrfikëse dhe trupave të emergjencave civile të bashkisë së Fierit në aksionin për shuarjen e flakëve në Pishë Poro.

Sipas prefektit Lefter Shehaj, operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit të sotëm ku në terren po punojnë 5 mjete zjarrfikëse me 20 efektivë, 40 efektivë të forcave të armatosura , punonjës të adzm, forca mbështetëse të bashkisë dhe një buldozer i Ministrisë së Mbrojtjes. 

Kjo zonë po digjet prej 6 ditësh, ndërsa helikopteri i Forcave të Armatosura është në remont.  E ndërkohë që situata paraqitet kaotike, pritet që ndërhyrje nga ajri të jetë zgjidhja e vetme dhe përfundimtare e fikjes së zjarrit 6- ditor i cili ka djegur një sipërfaqe prej më shumë se 500 ha.

Ora 20:45
VIDEO/ Vijon beteja me flakët në Darëzezë të Fierit, Report Tv sjell pamje me dron

 

Vatrat e zjarrit në Pishë- Poro- Darëzezë vijojnë te jenë aktive edhe në këtë orë të mbrëmjes për shkak të erës së fortë. Report Tv sjell pamje me dron.

Ora 15:53
Zjarri në Pishporo dhe Darëzezë të Fierit, Greqia i vjen në ndihmë Shqipërisë për shuarjen e flakëve

Ministria e Mbrojtjes njofton se Greqia i është përgjigjur kërkesës së Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë me një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrat e zjarrit në Fier.

"Falenderojmë fqinjët tanë, për ndihmën në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile", thuhet në njoftimin e ministrisë.

 

Ora 13:27
VIDEOLAJM/ Zjarri në Pishporo dhe Darëzezë të Fierit, re të mëdha tymi mbulojnë qiellin! Situata alarmante

 
Flaket në pyllin e Pishporos dhe Derëzezës po vijojnë të përhapen me shpejtësi. Zjarri i favorizuar nga era e fortë dhe terreni i vështirë po e bën gjithnjë e më të vështirë shuarjen e vatrave aktive.

Kjo zonë po digjet prej 6 ditësh, ndërsa helikopteri i Forcave të Armatosura është në remont dhe po pritet ndërhyrja e BE.

Ora 12:44
Zjarri në Pishporo dhe Darëzezë të Fierit, Balla: Kemi kërkuar ndihmë nga Emergjencat Civile të BE

Zjarri në pyllin e Pishporos në Fier dhe në Darëzezë ka marrë përmasa të mëdha. Në terren ka zbritur edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili ka njoftuar se është kërkuar ndihmë nga Emergjencat Civile të BE.

Kjo zonë po digjet prej 6 ditësh, ndërsa helikopteri i Forcave të Armatosura është në remont dhe po pritet ndërhyrja e BE.

“Në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura do të investohet për hapjen e korridoreve në mënyrë që në raste zjarri, situata të menaxhohet lehtë. Ky është një masiv pyjor me vlerë të veçantë, e fatmirësisht pylli me pisha është i rigjenerueshëm”, deklaroi Balla.

Ora 10:21
VIDEO/ Përkeqësohet situata në Darëzezë, zjarrfikëse nga 4 bashki po punojnë për shuarjen e flakëve

 

Zjarri në Darëzezë ka marrë përmasa të mëdha.

Ne terren janë ekipet e zjarrfikësve të Fierit, Patosit, Albpetrol, Roskovecit dhe Divjakës

Zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura janë duke u përballur me një situatë shumë të vështirë në terren.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?