Pr.buxheti 2024/ PD propozim tjetër: Të rriten fondet për arsimin, buxheti për ministrinë të shkojë në 104 mld lekë

21 Nëntor 2023, 13:55| Përditesimi: 21 Nëntor 2023, 14:42

  • Share

Pasi prezantoi 8 amendamente për buxhetin e vitit 2024 javën e kaluar, Partia Demokratike vjen me një propozim të ri për të rritur buxhetin e Ministrisë së Arsimit në 5% të prodhimit të brendshëm Bruto. Partia Demokratike kërkon që buxheti i arsimit të shkojë në 104 miliardë lekë, nga 52.2 miliardë lekë që është projektuar nga Ministria e Financave.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Merita Bakiu thotë se efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, DEPUTETJA MERITA BAKIU 

Të nderuar qytetarë, dje u kalua për 5 minuta buxheti i vitit 2024. Ky buxhet nuk është gjë tjetër vetëm një buxhet dhe paketë fiskale që nuk mbështet ekonominë reale. Nuk mbështet sipërmarrësin dhe profesionistin e lirë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, turizmin, pensionitët, shtresat në nevojë, ish të përndjekurit, rininë. Ky buxhet mbështet vetëm oligarkët.
Partia Demokratike ka paraqitur 8 amendamente të cilat synojnë që ky buxhet të kthehet në shërbim shqiptarëve. Personalisht, si anëtare e Komisionit për Arsimin, kam depozituar një amendament që kërkon rritjen e fondeve për arsimin. 

AMENDAMENT

PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2024”
Në mbështetje të nenit 75, pika 4 të Regullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputetja z. Merita Bakiu propozon, 

Në projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024”, të bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
Neni 1

Në projektbuxhet tabela 1, totali i buxhetit të planifikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në vlerën 52223 milion lekë, të bëhet në vlerën 104444 milion lekë.
Neni 2 

Ky ndryshim pasqyrohet në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset shoqëruese të ligjit.
RELACION

PËR AMENDAMENTIN
Arsimi është një nga sektorët më të rëndësishëm. Rritja e financimit të ketij sektori është jetik. Prej vitesh arsimi ka qenë i nënfinancuar krahasuar me nevojat reale. Me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha nivelet, rritjen e investimeve në infrastrukturë (shkolla e kopshte), rritjen e konsiderueshme të pagave të stafeve akademike, rritjen e financimit të studentëve për të përballuar efektet e rritjes së çmimeve, propozojmë rritjen e buxhetit deri në masën 5% të GDP-së për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. 
 
Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?