Pr.buxheti 2024 merr dritën jeshile nga Kuvendi, për herë të parë në një dekadë kalon pa diskutime! Rikthehet në komisione për shqyrtim nen për nen

20 Nëntor 2023, 11:18| Përditesimi: 20 Nëntor 2023, 15:02

  • Share

Për herë të parë gjatë kësaj dekade, projektbuxheti dhe paketa fiskale nuk u prezantuan në një seancë plenare në Kuvend, por u miratuan pa asnjë diskutim, për shkak të kaosit të shkaktuar nga opozita.

Projektbuxheti i vitit 2024 është 7 miliardë euro ndërsa të ardhurat planifikohen në 6.5 miliardë euro, dhe deficiti 600 milionë euro. Ndërsa paketa fiskale prek 4 ligje atë të taksave kombëtare, të akcizës, TVSH-së dhe procedurat tatimore.

Vitin e ardhshëm pritet të investohen në projekte publike rreth 1.2 miliardë euro, ku përfshihen edhe 70 milionë euro që do të përdoren për procesin e rindërtimit, ndërsa sektorët prioritar janë arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, bujqësia, energjia si dhe infrastruktura.

Për pensionistët në vitin 2024, është parashikuar indeksimi i pensionit në muajin tetor si dhe bonusi i fundvitit, me vlerë totale 77 milionë euro.

Projektbuxheti i vitit 2024, konsiderohet i reformës së pagave, pasi do të shpenzohen 110 milionë euro, me qëllim që paga mesatare në sektorin publik të arrijë në 900 euro. Sa i takon borxhit publik për vitin e ardhshëm do të jetë në vlerën  e 14. 3 miliardë euro, kurse pagesat e kontratave koncesionare kapin shifrën e 140 milionë euro.

Projektbuxheti e paketa fiskale, do të shqyrtohen nen për nen në komisione brenda kësaj jave, për tu miratuar përfundimisht në muajin dhjetor nga Kuvendi.

Ndërsa projektligjet që janë pjesë e paketës fiskale parashikojnë:

·   Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar parashikon përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e mëshqerrave mbarsë dhe insekteve me qëllim eliminimin e përdorimit të  hormoneve dhe praktikave të zakonshme, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme. Propozimi për të hequr TVSH-në në import për gjedhë, dhen, dhi, derra dhe njëthundrakë është bërë nga deputeti i PS-së Erion Braçe. Ky ndryshim i propozuar sipas qeverisë, synon nxitjen e importit të mëshqerrave mbarsë që do të lindin në vend me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë.

·   Projektligji për akcizat, parashikon që të kufizojë rritjen e akcizës me normën e inflacionit, rregull i vendosur në vitin 2021. Sipas relacionit të projektligjit, akciza për karburantin, për pijet alkoolike, për kafen apo për produktet energjetike nuk do të rritet bazuar në normën e inflacionit por vetëm 1.5%. Kurse për produktet dhe nënproduktet e duhanit, akciza do të vazhdojë rritjen e parashikuar.

·   Projektligji për taksat kombëtare parashikon rritjen e taksës së karbonit. Kështu sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe OKB-së taksa e karbonit nga 3 lekë/ kg që paguhet nga industria e rëndë, si ajo e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kromit, duke filluar nga 2024 dhe deri në 2030-ën, taksa do t’i përafrohet nivelit të 15.3 lekë/kg.

  -Projektligji për procedurat tatimore me synim ashpërsimin e gjobave për bizneset që nuk plotësojnë në kohë detyrimet për të paguar këstet e tatim fitimit korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Po ashtu janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?