Pr/Buxheti 2021, BSH: Duhet kujdes i madh me shpenzimet dhe tavan i ri për PPP-të, duhen monitoruar

2 Nëntor 2020, 16:21| Përditesimi: 2 Nëntor 2020, 19:21

  • Share

Banka e Shqipërisë pret që vitin e ardhshëm të të mblidhen më pak të ardhura se sa është parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2021. Zëvendësguvernatorja e parë Luljeta Minxhozi tha në Komisionin e Ekonomisë se duhet treguar kujdes me shpenzimet përsa kohë pandemia vijon.

“Projeksionet tona të të ardhurave janë lehtësisht më të ulëta se projeksionet e Buxhetit. Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave. Për këtë arsye, ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave”, u shpreh zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi.

Në opinionin e Bankës së Shqipërisë për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, një fokus i veçantë i është kushtuar PPP-ve. Propozohet vendosjen e një tavani të ri në përputhje me Prodhimet e Brenshme Bruto.

“Projektbuxheti i vitit 2021 merr parasysh rreziqet që burojnë nga zgjerimi i projekteve të partneritetit publik-privat (PPP), duke vendosur kufi mbi vlerën totale të këtyre projekteve dhe duke detajuar shpenzimet e lidhura me to brenda vitit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit. Po ashtu, gjejmë me vend të theksojmë që projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize, e cila mundëson prioritizimin e investimeve publike”, tha zëvendësguvernatorja.

Aktualisht në vend është vetëm tavani që pagesat e koncesioneve në vit nuk mund të jenë më shumë se 5% e totalit të ardhurave tatimore. Ndërsa propozimi i bankës shkon më tej. Kërkohet përcaktimi i nivelit të vlerës maksimale se sa koncesione mund të lejohen në vend, duke marrë në konsideratë PPB. Banka kërkon gjithashtu vëmendje të shtuar tek ulja e borxhit publik.

“Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021. Në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë”, tha Minxhozi.

Zëvendësguvernatorja u shpreh në Komisionin e Ekonomisë se banka qendrore është e gatshme të marrë masat e nevojshme në rast të një emergjence të dytë. Ndërkohë sa i takon rimëkëmbjes ekonomike, Minxhozi theksoi se edhe vitin tjetër do të jetë e brishtë por do të favorizohet nga investimet publike.

er.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?