Prapaskenat/ Bllokohet plani për përgjime nga policia pa pyetur prokurorinë, 4 lëvizjet që konfirmojnë tërheqjen e qeverisë

15 Qershor 2020, 16:00| Përditesimi: 15 Qershor 2020, 18:31

  • Share

Bllokohet plani për përgjime në Shqipëri nga policia, duke nxjerrë jashtë loje prokurorinë. Projektligji që i jep policisë kompetencat e prokurorisë, i mbrojtur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në Kuvend, është pezulluar pa afat. Reflektimi i mazhorancës qeverisëse ka ardhur pas reagimeve të forta nga Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme, juristë të ndryshëm, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, por edhe nga deputetët socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, të cilët e konsideruan nismën ligjore të rrezikshme, antikushtetuese dhe që cenon liritë themelore të njeriut. Të gjitha këto reagime erdhi pas pasqyrimit të përmbajtjes së nismës në Report Tv dhe Shqiptarja.com.

Po cilat janë lëvizjet që konfirmojnë bllokimin e ligjit? Së pari, edhe pse statusi i nismës ligjore rezulton në ‘procedurë’, Komisioni i Sigurisë Kombëtare prej 35 ditësh nuk shqyrton projektligjin nen për nen, për ta kaluar në seancë plenare. Komisioni i Sigurisë ka zhvilluar vetëm një seancë në datën 20 maj 2020, e cila u shoqërua me debate të forta. Së dyti, si rrjedhojë e mos shqyrtimit nen për nen, Komisioni i Sigurisë nuk ka përgatitur një raport për këtë ligj, nëse duhet të miratohet ose jo. Së treti, as Komisioni i Ligjeve nuk e ka marrë në shqyrtim projektligjin. Komisioni i Ligjeve ishte caktuar si organi parlamentar që duhet ta shqyrtonte nismën për të dhënë një mendim.

Së katërti, nisma figuron në kalendarin e punimeve të Kuvendit, por nuk është caktuar asnjë datë për votim në seancë plenare, siç ndodh me ligjet e tjera, si një procedurë e zakonshme parlamentare. Gjatë mbrojtjes së projektligjit për ndryshimin e ligjit për Policinë e Shtetit, ministri tha se nisma ishte konsultuar me grupet e interesit dhe se ishte mbështetur. Por, gjatë diskutimeve, zbulua se nisma ishte kundërshtuar nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe juristët. Gjithashtu, nuk ishte marrë mendimi i misioneve të SHBA-BE, OPDAT dhe EURALIUS për projektligjin.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?